Hapet një gropë gjigante në Napoli, ‘përpin’ poshtë makinën me dy të rinj

274
0

Një gropë e madhe si humnerë që u hap pak pas orës 5 të mëngjesit të sotëm, në Napoli, në via Morghen “gëlltiti” dy makina, njëra prej tyre teksa kalonte pranë.Në total, katër persona u plagosën, dy prej tyre turistë, që po qëndronin në një “Bed & Breakfast” ngjitur me zonën e shembjes. Një prej të plagosurve, që ndodhej në makinë, u transportua në spital pasi kishte pësuar një traumë në kokë, por pas mjekimit u la i lirë.

Autoritetet lokale kanë dyshime se shembja e madhe mund të jetë shkaktuar nga vërshimi i ujit të krijuar nga tubacionet. Pjesa më e madhe e zonës aktualisht nuk ka furnizim me ujë për të lejuar operacione të sigurisë. 20 familje janë evakuuar nga një ndërtesë aty pranë.Në media dhe rrjetet sociale po qarkullojnë video dramatike që dokumentojnë shpëtimin e personave të përfshirë dhe të bllokuar në makinë. Një shtyllë e madhe ndriçimi rrugor dhe një tabelë rrugore gjithashtu përfunduan në gropën e madhe. Të njëjtin fat pati edhe një pemë e madhe e cila do pritet së bashkë me një tjetër ngjitur me të.Puna e autoriteteve lokale vijon për zbardhjen e shkakut të hapjes së gropës.