Grupi i hakerave “Homeland Justice” që mbështeten nga Irani kanë sulmuar faqen e web-it të Bashkisë së Tiranës duke e nxjerrë jashtë funksionit.
“Bashkia e dashur e Tiranës është tani në duart tona”, deklaroi “Homeland Justice” në Telegram, duke shpërndarë disa foto nga hakerimi që kanë bërë.
Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës vijon të jetë e paaksesueshme.
“Bashkia e Tiranës është jashtë funksionit tani. Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ju paralajmëruam që të dëboni terroristët e MEK nga toka shqiptare, por ju i njohët si refugjatë ligjorë dhe u dhatë lehtësira si karta identiteti dhe pasaporta të falsifikuara”, shkroi “Homeland Justice” në rrjetin Telegram duke fajësuar për situatën “drejtuesit e qeverisë shqiptare”.
Sipas njoftimit të grupit të hakerave me këtë sulm janë ndërprerë shërbimet e “qytetit dhe të trafikut” ndërkohë që paralajmërojnë edhe veprime të tjera.
Deri më tani nga ajo që dimë, qytetarët nuk mund të regjistrojnë fëmijët e tyre për në kopshtet ose çerdhet e Bashkisë së Tiranës. Ky proces duhej të zgjaste deri më 22 qershor dhe aplikimi kryhej përmes faqes web.
Por në një njoftim bashkia njoftoi se ky proces do të pezullohet deri deri në momentin që linku i e-femijet.tirana.al do të jetë funksionale.
“Ju informojmë se për shkak një problematike të serverave të Bashkisë Tiranë, linku i Platformës së Aplikimeve për Regjistrimin e Fëmijëve në Çerdhet dhe Kopshtet Publike e-femijet.tirana.al nuk është funksional. Në këtë kuadër, procesi i aplikimeve do të pezullohet deri në momentin që platforma do të jetë funksionale. Në vijim do t’ju informojmë kur platforma do të jetë përsëri funksionale dhe mbi shtyrjen e afatit të aplikimeve”, njoftoi bashkia.