Hakerat iranianë nuk ndalen, publikojnë të dhënat bankare të zyrtarëve të ministrive dhe institucioneve shtetërore

115
0

“Homeland Justice”, grupi i financuar nga Irani, ka publikuar këtë të shtunë të tjera informata të zyrtarëve të ministrive dhe institucioneve shtetërore. Në foldera, renditen të dhënat sensitive dhe llogaritë e tyre bankare.

Publikojnë të dhëna të tjera sensitive të zyrtarëve.

Të dhëna të tjera sensitive janë bërë publike nga grupi “Homeland Justice”. Në përmbajtjen e publikuar në rrjetin telegram, janë emrat e zyrtarëve të shtetit të cilët kanë llogari në një bankë të nivelit të dytë, që operon në vendin tonë.

Në listën emërore vihen re personazhe me status të rëndësishëm politik, por edhe në institucionet e drejtësisë. Në disa foldera shfaqet emri i shefes së BKH-së, Aida Hajnaj, të dhënat e saj personale si dhe të dhëna për llogarinë e saj bankare. Por jo vetëm të dhënat personale të Aida Hajnaj, por edhe disa zyrtarëve të Policisë së Shtetit si Ardi Veliut, Gledis Nanos. Po ashtu në këtë listë renditen edhe emrat dhe të dhënat personale të zyrtarëve të KLSH, si dhe të disa prej deputetëve.

Pjesën më të madhe të listës së zyrtarëve, të cilët kanë një llogari në këtë bankë të nivelit të dytë, e zënë personat që punojnë në Prokurori dhe Gjykata.

Pavarësisht nxjerrjes së këtyre të dhënave, vetë Banka në fjalë ka reaguar zyrtarisht një ditë më parë, ku i sqaron klientët e tyre që të mos ndihen të shqetësuar, pasi paratë janë të sigurta. Dalja e këtyre informatave është paralajmëruar më herët edhe nga ekspertët e IT, të cilët janë shprehur se grupi “Homeland Justice” me financim nga Irani, kanë arritur të depërtojnë në brendësi të sistemeve tona.

Oranews/