Hajdutët vjedhin 3 shtëpi në Peqin, por ajo çfarë morën do iu habisë (Video)

1398
0

3 familje në fshatin Trash të njësisë administrative Shezë në rrethin e Peqinit kanë rënë pre e grabitjes gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes.

Familjet e Asllan Baho dhe vëllezërve Adriatik dhe Neshat Çullhaj, banues në fshatin Trash, i cili ndodhet tre kilometra larg nga rruga nacionale Elbasan-Peqin, kanë njoftuar policinë sapo kanë konstatuar se banesat e tyre janë bastisur, pasi gjatë kohës së grabitjes ata kanë qenë në gjumë.

“Natën jemi grabitur. Kam qenë në gjumë, por ai që ka ardhur ka qenë i përgatitur për të vjedhur sepse përndryshe do na kishte vrarë”, është shprehur Asllan Baho. “Nuk i kemi ndjerë sepse kanë përfituar nga zhurma e erës së natës dhe nga zhurma e llamarinës që janë përreth “, ka thënë njëri prej vëllezërve Çullhaj.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme, duke shoqëruar fillimisht disa persona. Janë shoqëruar edhe familjarët dhe fqinjët e familjeve që janë vjedhur, duke u marrë deklaratat rreth grabitjes. Sipas dëshmisë së dhënë, atyre u janë grabitur rreth 400 litra vaj ulliri, 200 litra raki, si dhe mjete motorike të cilat i përdornin për bujqësi. Sipas familjarëve të prekur, vlera e dëmit i kalon 5 milionë lekë të vjetra.

Kjo nuk është hera e parë që në fshatin Trash ndodh një ngjarje e tillë. Sipas banorëve, është e disata herë që në këtë zonë kryhen vjedhje të këtij lloji.