Pas sulmit kibernetik ndaj sistemeve të policisë, fshihet e njëjta dorë që sulmoi portalin e-Albania më 15 korrik.
Sulmi është marrë përsipër nga grupi Home Land Justice, i njëjti që mori përsipër sulmin ndaj platformës qeveritare e-Albania dhe publikoi materiale të hakeruara nga kjo platformë. Sulmin ndaj sistemeve të policisë që nisi rreth orës 22:00 të së premtes, ky grup hakerash e paralajmëroi në një grup të hapur në rrjetin Telegram, duke publikuar një fotografi.
Më pas, kur sistemi TIMS dhe sistemet Adam, MEMEX, dhe menaxhimi i çështjes kishin rënë në të gjithë njësitë policore në vend, po në këtë rrjet social, hakerat publikuan një video më shumë se 6 minuta nga kamerat e sigurisë në aeroportin e Rinasit. Pamjet ishin regjistruar brenda kabinës së një punonjësi të policisë kufitare që po kryente procedurat për hyrje të qytetarëve në Republikës së Shqipërisë. Në orën 22:04 të datës 9 shtator ndërkohë që punonjësi i policisë po kryente veprimet, sistemi bllokohet dhe polici më pas vetëm fotografon pasaportat e personave në radhë.
Top Channel ka kontaktuar me këtë grup hakerash, të cilët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë çdo javë me publikimin e të dhënave të marra nga sistemet shqiptare. Jo vetëm kaq, por të dhënat e përftuara nga e-Albania ata i kanë nxjerrë në shitje ku një gigabite informacione shitet 0.05 bitcoin.
Në komunikimin e fundit, mëngjesin e kësaj të hëne, ata thanë se edhe të dhënat e përftuara nga TIMS ata ua kanë shitur disa personave në Shqipëri dhe kjo dihet nga ana e qeverisë. Ata paralajmërojnë se shumë shpejt do të publikojnë të dhëna që do t’i hapin telashe qeverisë shqiptare.