Gruaja refuzoi të kryente marrëdhënie me të shoqin, Gjykata i jep të drejtë: S’ka faj!

98
0

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë të drejtë një gruaje franceze, e cila refuzoi të kryente marrëdhënie seksuale me bashkëshortin e saj. Gjykata tha se në rast divorci, femra nuk duhet të shikohet me faj, duke dënuar në këtë rast Francën.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, burri i gruas 69-vjeçare kishte marrë divorcin në Francë mbi bazën se ajo ishte fajtore sepse kishte ndaluar së kryeri marrëdhënie seksuale me të. GJEDNJ vendosi unanimisht se ka pasur dhunim të të drejtave të gruas sa i përket jetës së saj private dhe familjare, si pjesë e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi shkon kundër Francës, duke theksuar se një grua që refuzon të kryejë seks me bashkëshortin nuk duhet konsideruar me faj nga gjykatat në rast divorci.

Çifti në fjalë ishte martuar që prej vitit 1984 dhe kanë katër fëmijë, mes tyre një vajzë me aftësi të kufizuara, e cila ka të nevojshme praninë e një prej prindërve, një rol që e ka marrë e ëma.

Problemet mes gruas e burrit kishin nisur që prej lindjes së fëmijës së parë. Në vitin 1992 gruaja kishte nisur të kalonte probleme shëndetësore.

10 vjet më vonë, në 2002-shin, bashkëshorti nisi të abuzonte fizikisht dhe verbalisht me të. Në 2004, ajo ndaloi së kryeri marrëdhënie me të shoqin dhe në vitin 2012 ai kërkoi divorcin.

Në një gjykatë apeli në 2019, gruas iu rrëzuan pretendimet dhe gjyqtarët shkruan krah burrit, ndërsa gjykata e Kasacionit po ashtu i rrëzoi kërkesat e gruas për apelim, pa dhënë arsye specifike.

Për këtë arsye në 2021-shin ajo shkoi në Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut. Rasti i saj u mbështet nga dy grupe për mbrojtjen e grave në Francë.