Gruaja mbyllet në tualetin e avionit 5 orë pasi zbuloi se ishte infektuar me Covid në mes të fluturimit

271
0

Një mësuese amerikane tha se ajo qëndroi me dëshirën e saj pesë orë e izoluar në tualetin e një avioni pasi rezultoi pozitive me Covid-19 në mes të fluturimit. Marisa Fotieo tha se filloi ti dhimbte fyti ndërsa udhëtonte nga Çikago në Reykjavik në datën 20 dhjetor.

Ajo kreu një test të shpejtë nëpërmjet një testi që kishte marrë me vete, i cili i konfirmoi që ishte infektuar me Covid-19. Ajo qëndroi në tualet për pjesën tjetër të udhëtimit dhe një stjuardesë i dha ushqim dhe pije. Mësuesja amerikane deklaroi për “NBC News” që  ishte një përvojë e çmendur dhe frika e saj më e madhe ishte se mos infektonte udhëtarët e tjerë.

Ajo postoi një video në TikTok nga brenda tualetit të avionit, e cila është parë më shumë se katër milionë herë. Zonja Fotieo falënderoi stjuardesën për ndihmën që i dha gjatë sprovës që kaloi raporton “BBC”. Mësuesja amerikane deklaroi se i ishte dashur të izolohej në një hotel të Kryqit të Kuq pas mbërritjes në Islandë. Sprova e saj erdhi mes përhapjes së variantit Omicron, i cili vazhdon të nxisë një rritje të rasteve në të gjithë SHBA-në.

Numri në rritje i njerëzve që duhet të izolohen për shkak të infeksioneve ka vënë presion disa industri përfshirë industrinë ajrore.