Gruaja e paralizuar dhunohet çdo natë nga bashkëshorti, por tragjedia e saj është akoma më e madhe!

464
0

Skamja është ulur këmbëkryq si jashtë dhe brenda shtëpisë së fammiljes Zmali, në Çerkez të Kamzës, vetëm 15 km larg Tiranës.
Anëtarët e kësaj familje jetojnë në një ngrehinë, që nuk ka as kushtet minimale, ndërsa orenditë janë luks.

Në një situatë të tillë jeton një grua e dhunuar, një nënë e braktisur, pa asnjë ndihmë sociale dhe gjysmë e paralizuar. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Prenda, 57 vjeç, duhet të kujdeset edhe për djalin e saj të sëmurë.

“I kam thënë disa herë djalit, shkojmë të vizitohesh. Më thotë jo nuk ka nevojë se nuk jam i sëmurë. Nuk e pranon që është i sëmurë. Unë jam e paralizuar prej disa vitesh. Kempin e kam pas marr dikur por ma hoqën, më thanë je e aftë për punë. Nuk më kanë dhënë rrugëzgjidhje në asnjë vend. Ka raste që kemi qëndruar edhe pa ngrënë. Vuajtja ime po kalon në situata me gjendje të vështirë shumë”, shprehet Prenda Zmali.

Mes lotësh që nuk i ndalen, dhe frikës për të nesërmen, ajo pranon para kamerës së “News24” se dhunohet sistematikisht nga bashkëshorti. Edhe pse e ka denoncuar në polici, 57-vjeçarja vazhdon të përballet e vetme çdo ditë me dhunën dhe fatin e saj.

“Burri pasi merr pensionin mërzitet me mua, më shan dhe më poshtëron, Deri në ndarje në polici ka arritur, prej dhunës që ushtronte ndaj meje. Një jetë që kam kaluar me të, kështu e kam kaluar dhe kështu po jetoj të përditshmen”, tregon 57-vjeçarja.
Me zërin që i dridhet, ajo tregon se varfëria ekstreme i ka shpërberë familjen, prej disa muajsh ajo nuk ka asnjë kontakt me djalin 16-vjeçar.

“Djali i vogël është larguar për punë, kemi tre-katër muaj që nuk komunikojmë. Nga pjesëtarët e familjes, nga askush nuk marr përkrahje. Nuk kam asnjë që më ndihmon”, tha ajo.

E paaftë për të punuar dhe përballë të gjithë këtyre fatkeqësive, zonja Zmali i bën apel për ndihmë instancave shtetërore.

“Kujt ti trokas, kujt t’i them, kujt t’i ankohem?! Ju lutem shumë, ta gjej një rrugëzgjidhje dhe unë”, bën apel ajo përmes kamerës së “News24”.

Largohemi nga kjo panoramë që të rrëqeth, me shpresën se dikush do të kthejë sytë nga kjo nënë dhe dhimbjet e saj.