Godet i ftohti ekstrem -50 gradë Celsius

1190
0

Një pjesë e madhe e territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është goditur nga i ftohti polar dhe temperatura që shkojnë në minus 50 gradë Celsius. Moti i keq në pjesën veriore të SHBA-së ka shkaktuar probleme në rrugë dhe në transportin publik.

Ndërsa dy persona kanë humbur jetën për shkak të të ftohtit ekstrem. Meteorologët kanë paralajmëruar se këto kushte atmosferike do të vazhdojnë deri mëngjesin e së premtes. Presidenti amerikan Donald Trump, nëpërmjet një postim në rrjetet sociale u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes.

“Temperaturat do të arrijnë në -51 gradë Celsius, më e ulëta e regjistruar ndonjëherë”, tha Trump duke shtuar me ironi: “Çfarë dreqin po ndodh me ngrohjen globale”. I ftohti ekstrem është shoqëruar edhe me erëra të forta. Shumë biznese kanë pezulluar aktivitetet, po kështu edhe shërbimet publike janë mbyllur. Rreth 1 mijë fluturime janë anuluar një ditë më parë në dy aeroporte të Çikagos.

Edhe në Kanada reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme. Në Toronto rrugët janë bllokuar pasi dëbora ka arritur në 30 cm trashësi. Disa fluturime janë anuluar dhe shtyrë. Erërat janë regjistruar me një shpejtësi 50 km/h, ndërsa temperatura më e ulët pritet të jetë -27 gradë Celsius.