Mundësia e sanksionimit eshte parashikuar per njerëzit që refuzojnë, pa arsye të vlefshme të vaksinohen kundër Covid 19 ne rajonin Galicia të Spanjës.
Parlamenti i këtij komuniteti autonom në veri-perëndim të vendit, ka miratuar reformën e legjislacionit rajonal të shëndetësisë: drafti i ri parashikon zbatimin e gjobave, midis 1.000 dhe 600 mijë euro. Por opozita ka vënë në dyshim dispozitën.
Gjobat duhet të ndahen në tre nivele: të lehta, të rënda dhe shumë të rënda, bazuar në “rrezikun ose dëmin që shkakton në shëndetin e popullsisë”. Mbi të gjitha, qëllimi është të dekurajohen mohuesit e Covid 19 dhe ata që nuk duan të vaksinohen.
Grupi politik i shumicës, Partia Popullore (qendra e djathtë), argumenton se legjislacioni i ri parandalon “mohimin” dhe i përgjigjet boshllëqeve ekzistuese në lidhje me këtë çështje në legjislacionin kombëtar.
Nga ana tjetër, partitë e opozitës, vënë në dyshim zbatueshmërinë ligjore të gjobave dhe argumentojnë se masa do të refuzohet nga gjykatat, sepse “ajo shkel të drejtat themelore, bie në kundërshtim me normat kombëtare dhe favorizon propagandën e mohuesve”.
Për më tepër, në një nivel ligjor, përkufizimi i “arsyes së vlefshme” mbetet i paqartë.
Ndërkohë, Carolina Darias, Ministrja Spanjolle e Shëndetësisë, tha se vaksinimi kundër Covidit në vendin Iberik, “nuk është i detyrueshëm”, pasi iu kërkua një mendim mbi vendimin e autoriteteve lokale galiciane.
Darias tha që duhet të priten vlerësimet përkatëse ligjore për të kuptuar nëse ligji i ri është në të vërtetë kushtetues. /