Gjeti portofolin me 6000 euro dhe e dorëzoi në polici: Ja cfarë më thanë shokët dhe policët

213
0

Erind Shkambaj, 16-vjeçari ka shtangur njerëzit dhe efektivët e policisë pas dorëzimit të portofolit me gjashtë mijë euro, që gjeti në tokë.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës ku si çdo fundjavë adoleshenti ishte nisur për në punë dhe ka gjetur një portofol në tokë.

Ai tregoi të gjithë kronologjinë e ngjarjeve ditën e sotme në “Shqipëria Live”, duke na zbuluar edhe më shumë detaje.

Erindi pasi e ka parë portofolin e ka kontrolluar më pas, dhe ka vërejtur një shumë të konsiderueshme parash. Ai deklaroi se në asnjë moment nuk ka menduar t’i marrë paratë, pasi është leku i huaj.

“Hapëm kuletën, kishte tufën me 50 euroshe të lidhura, pastaj lekë të tjera. Gjëja e parë që kam menduar është t’i dorëzoj. Ai është një lek që nuk hyn në shtëpi”.

Përpara se të futeshin në komisariat ai e ka kontrolluar dhe ka gjetur aty një numër, i cili nuk iu përgjigj telefonatave të adoleshentit dhe shokut të tij. Më pas në komisariat kanë bërë proceduarat e nevojshme, ku edhe iu është njoftuar që italiani ka bërë paraprakisht denoncim.

“Para se të futeshim në komisariat e kontrolluam. Shoku ra dakord me mua që t’i dorëzonim. Na janë dashur 30 minuta në këmbë për të ikur te policia. Rrugës kemi menduar që, uroj ta gjejmë italianin. Në portofol gjetëm një numër, por asnjeri nuk e hapi telefonin. Kur shkova në polici u thash që dua të bëj një denoncim. Më futën në një zyrë dhe më morën në pyetje. Edhe polici u shokua kur e pa portofolin. Hapi kuletën dhe më pas bëri një listë me të dhënat e mia dhe gjërat që gjendeshin në kuletë. Kaloi më pas më duket shefi i krimeve dhe më than që mundesh me vazhdu. Italiani kishte bërë një denoncim dhe më than që do vijë shumë shpejt”.

16-vjeçari u shpreh se me italianin, pronarin e portofolit, kishte pasur një kontakt 20 sekondash, ku ai e kishte falenderuar dhe shpërblyer me vetëm 100 euro.

“Pasi u largova, pas pesë mintash kam ardhur sërish në komisariat, pasi italiani kishte ardhur. Vetëm 20 sekonda jam takuar. Më tha vetëm faleminderit dhe më dha dorën e iku. La vetëm një 100 euro shpërblim”.

Ai tha se pjesa me e madhe e shokëve nuk kanë qenë me një mendim me të për dorëzimin e portofolit, ndërsa policët kanë mbetur të habitur për gjestin që kanë bërë.

“Lum nëna që të ka. Lum prindërit që të kanë rrit. Skena taku ndonjëherë një djal si ty”, thanë policët sipas djalit.

Kuleta i përkiste turistit italian Claudio Perrinella, i cili ishte ndalur në fshatin e Oblikës në Shkodër, ku banon Erindi, për të blerë diçka dhe pastaj portofoli i kishte rënë nga xhepi. Në të ishin karta e identitetit, karta të llogarive bankare dhe një shumë prej mbi 6000 eurosh.

I riu gjatë javës vazhdon shkollën e mesme ndërsa në fundjavë punon si ndihmës kamarier në një prej restoranteve në qytet. Pasditeve stërvitet fort me ekipin e Shkodrës me ëndrrën se një ditë do të bëhet portier i madh.