Gjermania i jep goditjen e parë Rusisë pasi futi tanket në Ukrainë

150
0

Një ditë më parë, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dekretoi njohjen e pavarësisë së krahinave lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, ndërsa menjëherë më pas futi tanket në këto territore. Ndërkohë, ka ardhur edhe goditja e parë për Rusinë. Berlini do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit Nord Stream 2, që do të sillte gazin rus në Gjermani.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se qeveria e tij po e merrte një masë të tillë në kundërpërgjigje të veprimeve ruse ne Ukrainë.

“Ky është një hap i nevojshëm administrativ, që do të pamundësojë funksionimin e Nord Stream 2”, tha kancelari. Ndërtimi i gazsjellësit ka përfunduar, por projekti kërkonte certifikimin nga autoritetet gjermane pare se të niste furnizimi me gaz. Nord Stream 2 ka qenë burim përplasjesh me Uashingtonin, i cili kundërshtonte rritjen e varësisë europiane nga gazi rus. Por deri më tani, Gjermania kishte refuzuar të përdorte kartën e gazsjellësit për t’i bërë presion Moskës, pasi gati gjysma e nevojave të saj energjetike plotësohen pikërisht nga Rusia. Udhëheqësi ukrainas Volodimir Zelenski, bëri thirrje për pezullimin e menjëhershëm të projektit pas vendimit të presidentit rus për të njohur pavarësinë e Donbas.