Katerina është një mikeshë gjermane e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan e cila ka ardhur me një dëshirë shumë të madhe në “Ka Një Mesazh Për Ty”.
Ajo e njeh emisionin nga miqtë e saj dhe mendon se është platforma e duhur që mund t’i kthejë mbrapsht njeriun e zemrësa.
Sot, babai dhe gjyshja e vajzës së saj kanë ditëlindjen, por marrëdhëniet mes tyre nuk janë të afërta momentalisht. Katerina shpjegon se ish- i dashuri është një djalë shqiptar nga Vlora me të cilin është njohur në Gjermani.
Katerina: Unë doja të surprizoja babain e vajzës sime, ndoshta edhe nëna e tij vjen me të. Ata të dy kanë sot ditëlindjen. Do të kisha dëshirë që ne përsëri të arrijmë të kuptohemi… dhe po! Ai është ende në zemrën time. Unë do të gëzohesha nëse do ta shihja përsëri.
Ardit Gjebrea: Po çfarë ka ndodhur? Le ta tregojmë historinë që nga fillimi, si e njohe këtë njeri dhe ai është shqiptar, gjerman, italian, francez?
Katerina: Jo, ai ka lindur në Vlorë dhe ka jetuar pothuajse gjithë kohës në Gjermani, me statusin e azilantit. Dhe kështu jemi njohur në Gjermani pasi unë jetoj aty.
Ardit Gjebrea: Si u njohe, kureshtar jam?
Katerina: E kam njohur në një bar ku kam punuar. Nuk më bëri përshtypje që në fillim, interesi im për ta njohur ka filluar pas një viti. Më vonë m’u duk shumë interesant. Shpresoja që ai do të ishte njeri i mirë gjithashtu. Dhe disa miq më thanë: ok! Ata më thanë të shihja për dikë tjetër por mua ai më pëlqente shumë. Unë isha shumë e sigurtë që ai kishte një zemër të mirë. Ai më la numrin e telefonit mbi banak dhe më tha: Nëse dëshiron, mund të më telefonosh! Unë nuk doja ta merrja numrin, por më pas e mora. Dikur u lidhëm në telefon dhe folëm.
Ardit Gjebrea: Kishe njohur më përpara ndonjë shqiptar?
Katerina: Jo.
Ardit Gjebrea: Pra, i pari dhe u dashurove. Po çfarë të pëlqeu?
Katerina: Nuk e di…karakteri i tij…pamja gjithashtu…kishte një tip interesant.
Ardit Gjebrea: Ti vjen shpesh në Shqipëri?
Katerina: Jo, kjo është hera e parë këtu dhe kam ardhur enkas për emisionin. Me shpresën se mund të rregullojmë disa gabime të lidhjes sonë. Prandaj jam këtu sot, me shpresën se njeriu beson te e vërteta.