Gjendet i braktisur jahti luksoz në Shëngjin, mister fati i biznesmenit turk (Dalin pamjet)

705
0

Një jaht luksoz është gjetur i braktisur gjatë natës në det të hapur në Shëngjin.  Jahti me flamur turk me motorë të fikur është gjetur nga një peshkarexhë që e ka rimorkuar në port. Brenda jahtit 13 metra të gjatë, pamjet e të cilit Report Tv i ka siguruar është gjetur dokumentacioni i rregullt dhe një pasaportë, që i përket turkut, Sevgin Yavuz 53-vjeç.

53-vjeçari është një biznesmen i famshëm turk që kishte ardhur për pushime në Adriatik, teksa më parë kishte qenë në Mal të Zi dhe kishte dalë nga porti i Tivarit. Jahti, në ujërat shqiptare ka ardhur nga Italia, ndërsa u gjet 11 milje nga bregu i Rodonit.

E ndërsa jahti është ankoruar në port, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë nga pronari, apo personat e tjerë që ishin me të në bord. Policia ka nisur menjëherë verifikimet për të zbuluar misterin se përse është braktisur jahti dhe ku ndodhet pronari. Autoritetet shqiptare kanë vendosur kontaktet edhe me autoritetet turke për të marrë më shumë informacion në lidhje me pronarin./Raportuan për Shqiptarja.com online gazetarët Arsen Rusta dhe Julian Hila/