Pas ngjarjes së rëndë që tronditi komunitetin në Centola të Italisë, ku biznesmeni italian Aurelio Valiante qëlloi me armë tre grabitës që i hynë në banesë, duke vrarë shqiptarin Rivaldo Rusi dhe duke plagosur rëndë Xhulijan Kurtin, tensionet janë përshkallëzuar ndjeshëm.
Në rrjete sociale, veçanërisht në TikTok, janë postuar kërcënime të hapura në drejtim të 60-vjeçarit italian. “Gjaku shpaguhet me gjak” është vetëm një nga mesazhet kërcënuese që i janë drejtuar Valiantes nga përdorues shqiptarë, të mbushura me urrejtje dhe thirrje për hakmarrje.
Sipas mediave italiane, pak ditë pas incidentit, rreth 30 shqiptarë – disa prej tyre familjarë të viktimës janë paraqitur para shtëpisë së Valiantes, duke kërkuar të marrin “hak për vëllanë”. Për këtë arsye, ai dhe familja e tij janë zhvendosur menjëherë në një vend të sigurt, nën mbrojtjen e autoriteteve, për të shmangur vetëgjyqësinë.
Ndërkohë, autopsia e trupit të Rivaldo Rusit u krye sot nga mjeku ligjor Francesco Lombardo me urdhër të Prokurorisë së Vallo della Lucania. Rezultatet e autopsisë do të jenë kyçe për të përcaktuar nëse të shtënat që i morën jetën ishin në pjesën e përparme apo jo – një detaj vendimtar për të konfirmuar nëse Valiante ka vepruar në vetëmbrojtje.
Pas përfundimit të ekspertizës, trupi i të ndjerit i është dorëzuar familjarëve të tij.
Prokuroria ka hapur një hetim të plotë dhe aktualisht janë tre persona nën vëzhgim:
Aurelio Valiante (58 vjeç) – dyshohet si personi që qëlloi me armë;
Marco Valiante (50 vjeç) – vëllai i Aurelios, i akuzuar se ndihmoi në fshehjen e trupit të Rusit në një fuçi vere, e cila më vonë u braktis në një zonë fshati;
Xhulijan Kurti (27 vjeç) – shtetas shqiptar dhe bashkëpunëtor i Rusit, aktualisht i shtruar në gjendje të rëndë në spitalin Cardarelli në Napoli.
Grabitësi i tretë arriti të largohej nga vendngjarja dhe deri më tani nuk është identifikuar apo ndaluar nga policia.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri, për shkak të përplasjeve kulturore, thirrjeve për hakmarrje dhe pyetjeve nëse rasti ishte vetëmbrojtje apo tejkalim i forcës. Autoritetet italiane po trajtojnë çështjen me kujdes të shtuar, ndërsa hetimet janë në vijim.