Gentian Zenelaj: Të gjithë politikanëve antishqiptarë do u hiqja patentën

790
0

Egla Xhemali-Fundi i kësaj vere për aktorin Gentian Ze nelaj do të thotë një ngjyrë më e mirë nga plazhi dhe një aksion, që nis me sezonin e ri në TV dhe teatër. Në takimin që patëm me të gjithçka shkoi sikur njiheshim prej vitesh. I mësuar me intervista, na tregoi për suplementin “Summer pages” të “Gazeta shqiptare” për veten, familjen, punën dhe kolegun e tij Saimir Kodrën.

Ishim bërë gati për një “shfaqje” humori, por jo, shanset qenë zero. Genti është kaq serioz, sa duhet të sigurohesh nëse po bisedon me të njëjtin person, që kishe në telefon.

Ai i rikthehet “Stop-it” në TV “Klan” bashkë me Saimir Kodrën, që për të është një makineri që nuk ndalet, vetëm punon. Sa për fëmijët dhe gruan ka “hapur” goxha thesin duke na treguar të fshehtat e udhëtimeve.

Një baba me “medalje ari” si ai, ka bërë një përpjekje, që i rezultoi me sukses, la cigaren. Si mjeshtër i improvizimit të batutave, në rreshta lexon për situatat, jo pak të vështira ku ka futur kolegët. Po qëndrimi i tij për teatrin? Një sfidë e hapur, me tone të larta për ta mbrojtur deri në fund.

 

Si është për ty dita e parë e kthimit në punë pas pushimeve?

Nuk e përcaktoj dot këtë gjë pasi puna nuk ndalon, pra gjatë gjithë verës përveç këtyre shkëputjeve të shkurtra, unë kam qenë në punë. Jam marrë me projekte që do të vijnë. Emisioni “Stop” vazhdon punën, mesazhet e njerëzve vijnë. Ne nuk e fikim celularin. Gazetarët duhet të orientohen në terren, problematikat e njerëzve vijnë dhe të gjitha duhen lexuar. Pra, nuk është kjo. Mbaroj data 31 gusht dhe tani fillon një episode i ri. Puna nuk ndryshon asnjëherë të paktën për njerëzit e medias.

Për çfarë mund t’i thuash ‘Stop” Saimir Kodrës?

Saimir Kodra është njeriu që nuk duhet t’i thuash “Stop” për asgjë, sepse Saimiri nuk ndalet. Ai është një makineri që punon non-stop, sidomos sa i përket emisionit. Është një makineri që vazhdimisht prodhon tema, direktiva. Saimiri ka një eksperiencë mjaft të madhe dhe nuk është pak të drejtosh një institucion si është “Stop-i”. E theksoj faktin institucion pasi po i jep zgjidhje problematikave të njerëzve që kanë dhjetëra vite që vijnë vërdallë dhe nuk është pak. Nuk dua t’i them “Stop” për asgjë. Saimir mos ndalo!(qesh)

Si sillesh me policët kur rrezikon ndonjë gjobë?

Të them të drejtën unë jam shofer shumë i kujdesshëm. Ka momente që e shkel me shpejtësinë. E urrej që kur bëj një rrugë të gjatë detyrohem që për shkak të saj të futem në qytete si për shembull në Fier, Vlorë. Kur dua të shkoj në destinacione të gjata kam dëshirë që të eci. Jam njeri që kur jam në timonë mund të udhëtoj me orë të tëra dhe nuk lodhem. Përgjithësisht, nuk abuzoj në mënyrë skandaloze, po ma beso sa herë që më kanë ndaluar unë kam nxjerrë dokumentat. Le të marrë atë që meritoj nuk bëj asnjëherë prepotentin, arrogantin. Më nervozojnë shumë policët prepotentë dhe të pasjellshëm. Ka pasur dhe raste që kam shkuar në debat, sepse kur unë them “Mirëdita” e kam shumë problem kur ti s’më përshëndet ose kur nuk thua “Zoti qytetar”. Sigurisht ato janë të stresuar, sepse realisht në Shqipëri të menaxhosh shoferët shqiptar është një stres i paparë.

Unë i kuptoj të gjithë djemtë e qarkullimit dhe policinë, pasi Shqipëria është sa i përket qarkullimit dhe mirësjelljes në përgjithësi është një kaos total, është tmerr. Duhet të kesh nerva, që të dish çfarë njerëzish janë. Gjej rastin t’i përshëndes të gjithë dhe atyre policëve që mund ti kem thënë ndonjë fjalë u kërkoj falje.

Një aktor humori, deri ku shkon me batutat në familje?

Unë përpiqem të krijoj situata, në fakt. Jam natyrë që kam shumë qejf të marr familjen me vete të udhëtojmë. Më ka rastisur një bashkëshorte gjumashe në udhëtim dhe djali, po ashtu. Po shyqyr Aria po e kompenson, që është një llafazane e paparë. Përgjithësisht, udhëtimet tona janë të zhurmshme, alegro në makinë. Në situatat kur dalim jam pozitiv, energjik. Duhet të kuptosh që puna që bëj sigurisht që influencon. Vjen një mesazh dhe ti lexon një informacion shumë të trishtë për dikë dhe do isha idiot po të thosha që nuk influencon në jetën time të përditshme gjithë ky informacion dhe problematikat që marrë nga njerëzit megjithëse unë mundohem ta ndaj, por është e pamundur. Ka njerëz që më shkruajnë në 12 të natës kam hall e patjetër që duhet t’u përgjigjesh të gjithëve.

Si baba, nga çfarë ke hequr dorë?

Për hatër të fëmijëve unë kam lënë cigaren dhe jam njeriu më i lumtur në botë dhe u bëj thirrje të gjithë atyre që pinë cigare, pasi është gjëja më e lehtë. Mos i dëgjoni fjalët që është gjëja më e vështirë, nuk bëhet. Lini cigaren, pasi është armiku më i madh! Mbas dy fëmijëve të mi është arritja më e madhe në jetë, pasi e kam pirë për 25 vjet.

Një rol që do e luaje pafund dhe pse?

Ka role shumë të mira, ka role të dobët, ka role çka. Ne aktorët për të gjitha rolet investojmë njësoj. Impakti që ka me publikun është i ndryshëm. Ekziston një shprehje, që e ka thënë një aktore shqiptare “Ti je ajo që ke luajtur herën e fundit”, pra në aspektin profesional nëse e ke luajtur dobët je dobët, në qoftë se e ke luajtur shumë mirë je mirë. Unë mundohem të jem energjik, i sinqertë me publikun dhe kam filluar të kuptoj që publiku po largohet pak na aktorët që luajnë pak me vetësiguri se e kanë në dorë publikun. Ata po afrohen ndaj aktorëve të cilët shpenzojnë energji, publiku e ndjen që ai është lodhur. Shfaqet e mia unë i zgjedh me role shumë aktive, nga fillimi deri në fund ka shumë aktivitet. Mund të gënjejnë përmasat e mia po jam natyrë shumë energjike. Nuk veçoj asnjë rol. Për mua janë të gjithë dashuri me shikim të parë.

Kur të kap e qeshura në skenë apo studio, çfarë bën për t’u kthyer në seriozitet?

Ka situata që t’i i provokon të qeshurat, ka situata ku realisht qesh me sinqeritet. Më ka rastisur 2-3 herë në shfaqje kam qenë me Romirin. Një e qeshur që shkaktohet çuditërisht dhe publiku qeshte njësoj me ne. Është gati si një valvul shfryrje. Është një moment kur për pak sekonda pritet që ne të jemi në skenë ata janë në publik, pra duket sikur të gjithë jemi bashkë dhe janë momente shumë të bukura. Unë kam dy momente me Romirin gjatë shfaqjeve që janë spektakolare, që ka ndodhur krejt rastësisht. Unë i kam shumë qejf këto momente kur janë të sinqerta, pastaj kur janë të provokuara janë një shpifësirë e gjallë. Njerëz jemi dhe ne. Një batutë që bën për të qeshur bën për të qeshur, si atë që thotë batutën dhe publikun.

Emisioni “Stop” është ai që shihet në ekran. Nuk është asgjë me skenar dhe imagjino improvizimet tona se si mund të dëgjohen. Realisht, Saimiri kur qesh, qesh me shpirt. I dalin lot nga sytë se batuta që më ka thënë mua ose i kam thënë unë ka qenë krejt spontane. Nuk është batutë, që unë e kam përgatitur me dhjetëra herë dhe sigurisht që provokon të qeshura. Qeshin kameramanët, qesh teknika, qeshin të gjithë.

Cilit politikan do të doje t’i hiqje patentën?

Të gjithë politikanëve antishqiptarë do u hiqja patentën. Unë s’e imagjinoj dot që një politikan shqiptar zgjohet në mëngjes dhe mos të mendojë se si ta bëj jetën e popullit. Për mua gjithë shqiptarët duhet t’ia heqin vizën. Një politikan që interesat i çon te një njeri, për një rrugë, një aeroport, koncesion dhe nuk mendon për shumicën për mua i duhet hequr viza në momentin më të parë, si të majtë, si të djathtë qofshin. Kjo për mua nuk ka rëndësi. Mua kanë filluar të më shqetësojnë shumë politikanët antishqiptarë, antikombëtarë. Hilari Klinton ka mbajtur një fjalim spektakolar në parlamentin shqiptar dhe unë vura re që disa politikanë shqiptar qeshnin. Ajo ka thënë një fjali tekstualisht kështu “unë isha kundër Barak Obamës në zgjedhjet presidenciale, por në një moment ai më tha eja të bashkëpunojmë dhe unë pranova të bashkëpunoj, sepse për mua Amerika është mbi gjithçka”. Këto njerëz kanë marrë votat tona dhe nuk i meritojnë votat e shqiptarëve e them për të gjithë kasën politike në Shqipëri. Ditën që do vihet vendi mbi gjithçka, atëherë Shqipëria do bëhet më e mirë. Kur të vij ai mëngjes dhe të mendohet si do bëhet jeta e popullit shqiptar më e mirë në kuptimin real të fjalës, jo për propaganda, po që shqiptarët duhet ti largohen politikës me pamjet e xhiruara me dron, unë do e votoj atë politikanë që zgjohet në mëngjes dhe mendon për Shqipërinë. Të tjerët që mendojnë se si të vënë një taksë abuzive, se si mendojnë të bëjnë diçka, e cila do të rëndojë në kurriz të konsumatorëve shqiptarë për mua duhet t’i hiqet viza, patenta, vota gjithçka. Janë njerëzit më të ligj që ekzistojnë.

Projekte të reja?

Të them të drejtën kam kaluar një vit shumë të ngarkuar ku nxora tri projekte dhe ka qenë një vit tepër i lodhshëm. Ndihem paksa fajtor ndaj familjes, sepse kam kaluar fundjava të tëra me turne, shfaqe ndërkohë që ata presin të jem me ta. Kam bërë një farë premtimi që do i shoh me shumë kujdes projektet e reja, pra ka shumë mundësi që unë të menaxhoj këto projekte që kam që do rikthehen përsëri dhe do shoh me shumë kujdes të paktën nga janari nuk kam ndërmend të lançoj projekte. Kërkesa kam plot, po është tepër e lodhshme të bësh edhe “Stop-in” edhe teatrin pasi jemi dhe me problematikën e tij. Realisht kjo na konsumon energji.

Meqë mbërritëm në këtë pikë. Ti je për prishjen e teatrit apo jo?

Në asnjë mënyrë. Nuk mund ta nxjerr nga goja fjalën prishje. Çfarë artisti është ai që nxjerr nga goja fjalën “të prishet teatri”?

Fjalia le ta prishim këtë teatër, nuk duhet të jetë kështu, por të jetë le ta ndërtojmë këtë teatër. Nuk mund ta konceptoj dot, që në këtë institucion që është ndërtesa ku është themeluar çdo institucion artistik shqiptar në historinë e artit. T’i dali nga goja disa aktorëve fjalia ‘le ta prishim’ është e tmerrshme. Të ruash është vështirë. Është memorie qytetare. Ata kolegët tanë që kanë vënë firmën duke thënë që të prishet uroj t’i zëri gjumi natën.

Është fjalë e rëndë shumë të prishet. Aty janë bërë gjyqet e para të komunizmit për njerëz, që janë pushkatuar, është teatri më i vjetër në Shqipëri, si të del nga goja fjala të prishet?! Mund t’i dali një inxhinieri, një politikani, po një artisti nuk mund t’i dali kurrë të prishet. Artisti nuk është për të prishur, por për të ndërtuar. E kanë engjëllin dhe djallin vet brenda tyre, varet cilin prej këtyre të dyve kanë më të madhin. Unë i kam të dy njësoj. Dua një teatër shumë të mirë, me ngrohje, por nuk mund të kërkoj ngrohje duke prishur diçka. Jemi përditë aty në betejë./GazetaShqiptare/