Gazetarët kritikojnë Vlorën, nxehen Vlonjatët

530
0

Që jemi nevrikosur me ju, jemi nevrikosur por si qytet me tradita që jemi, nuk na lejohet të humbasim edukatën, ndaj po ju drejtohemi prapë me fjalën vëllezër dhe motra, por ta dini që kjo është e fundit herë. Pastaj, e dini vetë ju.
Pra të dashur vëllezër dhe motra gazetarë,
Lexojmë kohët e fundit që kur vini me pushime, nuk jeni të kënaqur nga ne, pasi jemi hajdutë në fatura, se jemi të rëndë në gojë e të shtrenjtë në çmime, ndaj na uroni që të na mbeten shezllonët bosh.
Tani, që jemi një çikë të rëndë, jemi, se kështu na ka falur Zoti, por edhe kujt në qafë nuk i kemi rënë që të vini e të na shani në shtëpinë tonë. Por meqë trim është ai që fal, andaj ne po e kalojmë këtë pikë. Por kini parasysh që kur kamarieri të thotë vëlla e të vë dorën në sup, nuk e bën se ju hap barku për ju, por tradita na e do që mikun ta duam dhe respektojmë. Nëse ju kemi bezdisur, të na falni.
Ankoheni për çmime të larta dhe se iu bie më lirë në Greqi apo Itali. Nashi, që të jemi të saktë, Greqinë dhe Italinë e kemi njohur para jush, se ashtu na erdhën punët. Por kocë rezervati me 7 euro dhe peshk të egër me 12 euro, nuk ka pasur Italia dhe Greqia edhe atëhere që hante qeni petulla me lira dhe dhrahmi, e jo tani që po i bën gjermani të kërcejnë pogonishten.
Por nuk keni faj ju, por ne që ju themi që është peshk rezervati. Se po të ishte për ju, një mut të madh njihnit. Mos e donit gjë falas? Epo falas zakonisht vetëm një gjë jepet. Se mos na e kërkuat dhe nuk ja u dhamë.
Nejse, na falni se humbëm edukatën që na karakterizon.
Ankoheni për hotelet me 60 euro! Ju duken shumë derman? Ikni. I keni në Greqi me 120 dhe në Itali me 250 euro, njësoj me tanët. Dhe si shpërblim, sa herë të ktheni krahët, sportelistët do ju shohin si dhi të zgjebosura që një herë që ratë në para e ngritet bishtin përpjetë.
Qaheni për shezllonët! 4 euro çadra me dy shezllonë ju duket shtrenjtë? Për mos folur që zini edhe një çadër tjetër me çanta e kalamaj! Po mirë o pashallarët tanë, shkoni shtrihuni në rërë. Ne nuk ia u bëjmë si durrasakët apo sarandiotët që ju çojnë prej bythe po u ulët në sektorin e tyre.
Donim të zgjateshim më shumë, se shumë keni folur edhe ju. Nejse!
Që ta dini, këtë copë diell nuk na e ka falur njeri por e kemi mbrojtur me dhëmbë, burra, gra e çilimij, kemi kapur dyfekun kur ka ardhur puna. Këtu jeni të gjithë të mirëpritur, Nga Mitrovica e deri në Artë. Se kush jemi ne, e dinë çamët, kosovarët e të gjithë ata që kanë provuar të trokasin në derën tonë kur hasmi i ndiqte me pushkë në dorë e thikë në dhëmbë.
Por mos e rëndoni muhabetin me të shara e të nëmura. Jo për gjë, por po hytë në këtë fushë, do dilni me brekë nëpër këmbë, se nuk ja kanë dalë dot mustaqe të tjera me ne.
Që ta mbyllim aty ku e nisëm, shijoni verën dhe mos u merrni me llafe. Picat si tek ne nuk i gjeni në Itali; rakinë e verën si këtu, mos e kërkoni në vend tjetër. Hajdeni si miq dhe ne do ju përcjellim si vëllezër.
Ama, po e trashët me të shara, ky është zanat që e mësojmë që në djep e nuk na e dilni dot. Kaq për këtë rradhë. Piqemi në shtator./dritare.net