“Fruthi” shkon në Parlament. Mjeket japin alarmin

681
0

Situata e fruthit në vendin tonë po përkeqësohet. Numri i të prekurve ka mbërritur në 95, në mes të cilëve përveç fëmijëve të vegjël ka edhe të rritur.

Bëhet fjalë për ata të cilët kanë lindur në periudhën e viteve ‘80-‘90, kur mendohet që zinxhiri ftohës në të cilin ruhej vaksina të mos ketë funksionuar dhe vaksina te këta perona nuk ka bërë efekt.

Këta persona nuk i janë përgjigjur sa thirrjes së Institutit të Shëndetit Publik për ta ribërë vaksinën, të bërë edhe tani vone. Në shërbimin infektiv pediatrik janë bllokuar dy pavione, të cilët janë vënë në dispozicion të fëmijëve të vegjël me komplikacione të rënda të fruthit, siç janë meningiti apo encefaliti.

Tanimë rastet me fruth, por që nuk kanë komplikacione të rënda nuk shtrohen në spital, por kthehen në shtëpi, duke bërë që të pranohen vetëm rastet e rënda me komplikacione të fruthit.

Kjo ka ngjallur debat ndërmjet epidemiologëve dhe mjekëve klinicistë. Epidemiologët thonë se të gjithë rastet me fruth duhet të shtrohen dhe të izolohen, ndërsa mjekët klinicistë thonë se i përmbahen protokolleve dhe rekomandimeve të OBSH që rastet e lehta mund të trajtohen edhe në shtëpi.

Shtrimi ose jo përcaktohet nga mjeku i urgjencës. Mjekët vazhdojnë t’i bëjnë apel prindërve që t’drejtohen më parë mjekëve pediatër nëpër qendra shëndetësore dhe të mos shkojnë në urgjencën e QSUT pasi rrezikojnë që fëmijët e vegjël duke qenë edhe të pavaksinuar të infektohen me virusin e fruthit.

Ndërsa rastet që vijnë nga rrethet në urgjencën e qendrës spitalore universitare pasi marrin ndihmën e parë kthehen në spitalin e qytetit të tyre.

Eksperte të shëndetësisë dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë janë thirrur ditën e martë në komisionin e shëndetësisë për të raportuar mbi situatën e fruthit dhe menaxhimin e kësaj sëmundje me pasoja të rënda në shëndetin e popullatës.