Franca i thotë jo hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

676
0

Franca ka shtyrë edhe njëherë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për vitin 2020. Sipas agjencisë së njohur të lajmeve Reuters, Franca i ka bërë me dije Bashkimit Evropian se është kundër hapjes të negociatave të anëtarësimit me dy vendet ballkanike pasi i duhet akoma të punojnë më shumë në drejtim të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ata nuk janë ende gati për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje shtesë. Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, do të duhet të rivlerësojnë situatën diku në vitin 2020”-ka thënë një zyrtar francez për Reuters.

Ndonëse më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare të BE-së po përpiqen të shpërblejnë të dy shtetet ballkanike për reformat, duke rënë dakord për të filluar bisedimet e pranimit, Franca duket se është shprehur gjithashtu se BE duhet të reformohet së pari nga brenda, për të trajtuar me një forcë dhe unitet më të madh sfida të tilla si ndryshimin e klimës dhe migracionin.