Dollari amerikan vijon të qëndrojë në nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit, përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare. Në fokus do të jetë forcimi i monedhës së gjelbër në raport me jenin japonez në mbi 146, nivel që i detyroi zyrtarët në Japoni të ndërhyjnë në treg. Dollari amerikan është mbështetur nga pritshmëritë se inflacioni në SHBA do të jetë rritur edhe gjatë muajit të kaluar, që mund të shtojë presionin ndaj Rezervës Federale për të rritur normat e interesit.
Në anën tjetër, paundi britanik ra në nivelin më të ulët në 2 javët e fundit, pasi guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, sinjalizoi se banka qëndrore do ta mbyllë programin e blerjes së obligacioneve ditën e premte dhe i bëri thirrje manaxherëve të fondeve të pensioneve t’i japin fund ribalancimit të pozicioneve të tyre.
Pas kësaj deklarate, paundi ra poshtë 1.1 dollarëve, duke prekur nivelin më të ulët që nga 29 shtatori. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare, u rrit në rreth 113.5, shumë pranë nivelit më të lartë në 2 dekadat e fundit.
Edhe euro ka zbritur poshtë 0.97 dollarëve, kryesisht për shkak të politikës monetare agresive që po ndjek banka qëndrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin është rritur lehtë dhe po tregtohet në mbi 19 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1300 dollarë.