Punimet në aeroportin e Vlorës janë drejt përfundimit, teksa qytetarët mbeten në pritje të ditës përfundimtare se kur do të bëhet fluturimi i parë në këtë qytet. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në një intervistë dha detaje nga ky investim i rëndësishëm.
“Ndërtimi po ecën me ritme të kënaqshme, patjetër që ajo është një sfidë dhe është një vepër që, në momentin që do të fillojë të operojë në kapacitet të plotë, është dhe pjesa e certifikimit të operimit të kësaj vepre… Pra që do të thotë, që ka, ka agjenci europiane ku ne aderojmë për të marrë këto certifikata, e që operojnë pa asnjë lloj problemi. Shpresojmë që fluturimi i parë të bëhet javën e parë ose të dytë të Majit”, tha Dredha.
Kreu i Bashkisë së Vlorës riktheu gjithashtu në vëmendje dhe eventin më madhështor, siç e përshkruan ai të Giro D’Italia. Ky event shihet dhe me rëndësi të veçantë pasi xhiroja e çiklizmit do të përfundojë pikërisht në këtë qytet, duke nxitur dhe promovimin e vendit në të gjitha aspektet.
“Në ditën e zgjedhjeve ne kemi një event madhështor që do të ndodhë dhe nuk e besoja deri dje, por ja që po ndodh. Është xhiroja e Italisë në fakt, gara çiklistike. Patjetër që fillon me Durrësin, më pas Tiranën dhe përfundon në Vlorë dhe është pikërisht me datën 11 Maj. Kjo do të marrë vëmendjen e 200 vendeve të botës, do të transmetohet live ky event, i cili jo vetëm shërben për të kthyer të gjithë sytë nga qyteti i Vlorës, por do të ketë dhe një prurje shumë të madhe, por dhe të atyre që janë fansa të këtij sporti. Gjithashtu është dhe një promovim i vlerave, i kulturës, i riteve, i folkut, i traditës, përgjatë rrugëtimit sa i përket Vlorës”, tha Dredha.