Fluks kërkesash për lejet e qëndrimit 5-vjeçare

4584
0

Programi për dhënien e lejeve të qëndrimit 5-vjeçar për të huajt që investonin mbi 250 mijë Euro në Greqi, ka rezultuar i suksesshëm. Mbi 10 mijë të huaj kanë përfituar leje qëndrimi përmes kësaj mënyre, që u vu në zbatim nga qeveria greke 6 vite më parë, me qëllimin thithjen e kapitalit të huaj si pjesë e masave antikrizë. Zyrtarët në Athinë thonë se kërkesat janë vazhdimisht në rritje.

“Në qendër të kryeqytetit blerësit janë kinezë dhe turq. Këta të fundit, sëbashku me rusët preferojnë edhe bregdetin. Ndërsa nga shqiptarët ende nuk kemi aplikime. Siç duket ata investojnë në vendin e tyre”, shprehet Ilias Hronopoulos, Drejtor i Zyrës për Migracionin.

“Programi Viza e Artë ka bërë vezë të arta për financat publike greke. Që nga viti 2013 që nisi të zbatohej e deri më sot, vlerësohet se arka e shtetit ka inkasuar 2,5 miliardë euro. Por Komisioni Europian e ka kritikuar Greqinë për faktin se autoritetet nuk kontrollojnë origjinën e shumave që investojnë shtetasit e huaj, që duan të përfitojnë vizën e artë. Sipas Brukselit, në këtë mënyrë favorizohet pastrimi i parave”, shpjegon gazetari Robert Goro.

“Ndoshta duhen bërë kontrolle të tilla. Sepse flitet shumë, për mafie, për krim të organizuar”, shton Hronopoulos.

Parlamenti pritet të miratojë një amendim të këtij ligji, që u jep po ashtu leje 5-vjeçare edhe të huajve që investojnë të paktën 400 mijë euro në obligacionet greke.