“Ja sesi të fitoni 2000 euro në muaj me punë online”, thirrje të tilla në rrjetet sociale, nga përdorues të ndryshëm, janë bërë të shpeshta. Por ekspertët thonë se të tilla thirrje janë të rreme dhe sjellin të ardhura afatshkurtër.
Eksperti IT, Tomi Kallanxhi, deklaroi në Euronews Albania se personat që shpërndajnë informacione të tilla në rrjet janë mashtrues dhe historia që paraqesin nuk është e vërtetë.
“Ka njerëz pafund online që u premtojnë të rinjve pasurimin e shpejtë, por kjo thuajse është e pamundur. Thjesht ata i tregojnë disa site, si upwork dhe i mësojnë si të përdorin këto platformat, por po të shohësh të gjithë këta që mashtrojnë që thonë se bëjnë kaq para, po t’i kërkosh në QKB nuk figurojnë fare dhe e gjithë historia e tyre nuk është e vërtetë”, tha Kallanxhi.
Edhe pse të punosh nga online të jep disa komoditete, përsëri, asgjë nuk është kaq e thjeshtë. Në shumë raste 8 orarshi, tejkalohet.
“Nga një punë 7-orësh përfundojnë 17-orë sepse kapin 1 ose dy punë. Kostot janë të ulkëta dhe detyrohen të kapin të dytën apo të tretën online”, tha Kallanxhi.
Sektori i teknologjinsë në Shqipëri, po ecën me ritme të shpejta. Një rritje është vënë dhe në kompanitë shqiptare që ofrojnë punësimin online. Por në çdo rast, për të punuar online duhet të kesh një aftësi të caktuar ose të kryesh një trajmin, në kurse të licensuara.