Fëmijët e braktisur nga nëna bëhen me banesë të re

865
0

Në emisionin ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, këtë puntatë imami Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri shkuan në qytetin e Drenasit në Kosovë, ku dy vogëlushë të braktisur nga nëna e tyre, jetonin me babain, Pajazit Dugollin në një çadër të improvizuar me plastmasë. 

Jeta e tyre ishte një ferr, brenda fëmijët kishin parë të lëviznin edhe gjarpërinj. Në shkollë fëmijët ankoheshin se vuanin nga bullizmi pasi shokët i diskriminojnë dhe u thonë nuk keni shtëpi, jeni të varfër!

Pajaziti Dugolli i tha Elvis Naçit se i gënjen fëmijët kur ata e pyesin se kur do u kthehet e ëma.

Muaj më parë në studion e shqiptarëve Elvis Naçi premtoi se në tokën e familjes Dugolli në Drenas do i ndërtojë një shtëpi të re. Kjo ishte ëndrra e fëmijëve dhe e Pajazit Dugollit.

Naçi u rikthye në Drenas të Kosovës kësaj here jo vetëm, por me figurën legjendare të futbollit shqiptar, Lorik Canën.

Në kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ imami Naçi e prezantoi Canën me historinë e trishtueshme të familjes Dugolli.

Së bashku me fëmijët, ata shkuan në një qendër tregtare ku blenë rroba të ngrohta, këpucë, lodra dhe u argëtuan duke luajtur me top. Një seancë e vogël stërvitore u zhvillua nga ish kapiteni i Kombëtares në ambientet e qendrës. Loriku i këshilloi fëmijët të luajnë futboll çdo ditë dhe të stërviten. Por surpriza më e madhe ende nuk ka ndodhur.

Cana së bashku me Elvisin dhe fëmijët shkuan në çadrën ku këta të fundit jetojnë prej muajsh. ‘Kjo është mbijetesë, nuk imagjinohet kjo në vitin 2019, është ndryshe kur e përjeton këtë drame nga afër’, thotë i tronditur Lorik Cana.

Dëshira e fëmijëve dhe ëndrra e tyre më e madhe është të kenë një shtëpi. Falë kontributit të shumë shqiptarëve zemërmirë ëndrra e tyre u realizua.

Fëmijët u gëzuan aq shumë kur panë banesë e tyre të re, sa nga lumturia e madhe përqafonin Elvis Naçin dhe Lorik Canën, i cili u prek thellësisht nga lumturia e dy fëmijëve.

Elvisi shfrytëzoi rastin për t’i këshilluar dhe për t’i thënë fëmijëve që të respektojnë babain e tyre e të mësojnë shumë në shkollë.

Loriku ka shfrytëzuar rastin të luajë pak momente me fëmijët në hapësirat e banesë së re, teksa edhe Naçi demonstroi aftësitë e tij të shkëlqyera në futboll së bashku me ta.