Fasha 800 KW për familjarët, Rama jep lajmin e mire: Nuk do të hyjë në fuqi në tetor

46
0

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar me anë të një videoje në Facebook se nesër nuk do të hyjë në fuqi fasha 800KW për konsumatorët familjarë, ashtu siç ishte planifikuar.

“Sot kam një lajm pozitiv: në 1 shtator, kur vendosëm fashën, kërkesa për energji nga KESH ishte 17000KW, sot është 11000KW. Atëherë, kërkesa ishte ndjeshëm më e lartë dhe pa diskutim në këtë ulje ka luajtur rol të rëndësishëm edhe fillimi i dukshëm i kursimit nga abonentët familjarë. Kemi pasur edhe përmirësim të nivelit në Fierzë dhe presim reshje të tjera në tetor. Në këto kushte, bazuar në analiza të detajuara, vendosëm që aplikimi i fashës 800KW të mos hyjë në fuqi në muajin tetor”, tha kryeministri.

“Fasha synon që 4% e abonentëve që e tejkalojnë këtë kufi dhe konsumojnë afro 20% të gjithë sasisë së energjisë, të paguajnë me çmimin real çdo kilowat mbi kufirin e 800KW. Nuk është shpikje e jona, por një metodë e aplikuar nga shumë vende për të kursyer në këtë kohë të zymtuar nga inflacioni i luftës. Kursimi është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër pa kufizime energjie”, nënvizoi Rama, i cili më tej shtoi se qeveria “nuk do të lërë gjë pa bërë që barra faktike e kësaj lufte, të lehtësohet sa më shumë”.

Çmimi për abonentët familjarë momentalisht është 9,5 lekë për kilovatorë, ndërsa çmimi i vendosur për çdo kilovatorë mbi fashën 800 kwh, është 42 lek (pa TVSH).