Euro rritet papritur! Cfarë ndodhi me kursin e këmbimit të Euros me Lekun..

16827
0

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun është rimëkëmbur pjesërisht në dy ditët e fundit.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 101.75 lekë, në rritje me 0.72 lekë krahasuar me të martën.

Kursi i këmbimit të Euros pati prekur nivelin më të ulët vjetor ditën e hënë, duke zbritur deri në nivelin e 100.78 lekëve. Siç ka ndodhur zakonisht në vitet e fundit, rënia e shpejtë është pasuar nga një rimëkëmbje e shpejtë dhe Euro ka rifituar afërsisht një pikë.

Rritja e Euros në dy ditët e fundit ka tërhequr në rritje përkohësisht edhe valutat e tjera. Dollari Amerikan u këmbye sot me 95.62 lekë, në rritje me 0.5 lekë krahasuar me ditën e djeshme. Paundi Britanik arriti vlerën e 119.22 lekëve, në rritje me 0.87 lekë krahasuar me një ditë më parë.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se luhatjet e forta të kursit do të jenë afatshkurtra.

Përtej këtyre luhatjeve, kursi i këmbimit të monedhës vendase vazhdon të shfaqë një tendencë afatgjatë mbiçmimi. Krahasuar me një vit më parë, kursi i këmbimit Euro-Lek paraqitet në rënie me afërsisht 10%.

Pritshmëritë për tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit ngelen në favor të një Leku të fortë, i mbështetur nga flukset valutore në rritje të lidhura sidomos me turizmin.

Të dhënat e tërthorta tregojnë se numri i turistëve të huaj është në rritje të shpejtë edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, për periudhën janar-shkurt hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vitin e kaluar, deficiti i llogarisë korrente preku vlerën më të ulët historike për vitin 2023, në vlerën e 191 milionë eurove, me rënie 78% krahasuar me vitin 2022.

Shërbimet dhe në veçanti turizmi dhanë efektin kryesor. Statistikat treguan se të ardhurat neto në zërin e udhëtimeve të Bilancit të Pagesave kishin vlerën e 1.84 miliardë eurove, në rritje me 72% krahasuar me vitin 2022. Për më tepër, vlera rekord e investimeve të huaja direkte, prej gati 1.5 miliardë eurosh e ka tejkaluar me më shumë se shtatë herë vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Kjo tregon se flukset valutore hyrëse në ekonomi kanë qenë më të mëdha se ato dalëse, që e ka ulur kursin e këmbimit të Euros në nivelet më të ulëta historike.

Eksportet në rritje të shërbimeve pritet të sjellin një ofertë të lartë valutore në treg gjatë muajve në vazhdim.

Megjithatë, këtë vit ndoshta hapësirat për një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor janë më të mëdha, duke pasur parasysh inflacionin e ulët. Nëse inflacioni do të vazhdojë të bjerë poshtë objektivit, Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë të ndërhyjë për të zhvlerësuar monedhën vendase, duke tërhequr valutë nga tregu dhe duke rritur ofertën monetare në Lekë.