Monedha e përbashkët eurpiane ka pësuar një tjetër goditje këtë të Hënë. Sipas Kursit Zyrtar të Këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një Euro këmbehet me 99.08 lekë, minimumi më i ulët i shënuar ndonjëherë që prej krijimit të kësaj monedhe. Sipas ekspertit të ekonomisë Selami Xhepa, ky është një rend i ri, dhe do të vijojë për një periudhë afatmesme.
Selami Xhepa, ekspert ekonomie: Kemi gati 3 vite që kursi i këmbimit të monedhës kombëtare ka krijuar një histori të ekuilibrit. Leku do jetë një monedhë e fortë dhe mbase do vazhdojë të mbetet të paktën në periudhën afatmesme.
Nga dobësimi i Euros, përfituesi më i madh sipas ekspertit Xhepa është qeveria, pasi ka ulur borxhin publik, ndërsa problem ka sjellë në disa sektorë.
Selami Xhepa, ekspert ekonomie: I gjithë sektori i eksporteve dhe mallrave apo i shërbimeve është goditur seriozisht. Nga ana ime, ajo që nuk është akoma e dukshme, por do të lexohet në të ardhmen është se industritë kombëtare që konkurrojnë importet kanë pasur presione negative. Kjo do të thotë se edhe ekzistenca e këtyre bizneseve mund të vihet në dyshim.
Rënia e ndjeshme e Euros ka prekur edhe kursimet e shqiptarëve.
Selami Xhepa, ekspert ekonomie: Më shumë se gjysma e depozitave në sistemin bankar janë në euro, çka do të thotë se kursimtarët janë goditur fort negativisht.
Në tregun e lirë valutor, Euro blihet me 98.8 lekë dhe dhe shitet me 99.5 lekë.