Euro arrin nivelin më të ulët në 10 vjet në tregun vendas. Çfarë po ndodh?!

430
0

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së sotme, duke zbritur në nivelin më të ulët të dekadës.

Sipas kursit zyrtar të këmbimi të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 131.93 lekë, duke zbritur nën nivelin e 27 qershorit të vitit të kaluar, kur ajo u këmbye me 131.98 lekë.

Ky është niveli më I ulët që nga gushti i vitit 2009, kur monedha e përbashkët këmbehej me 131 lekë. Më pas, euro u ngjit në kuotat e 138 lekëve vitin e ardhshëm, si rrjedhojë e kërkesës së lartë të kompanive celulare për valutë të cilat fitonin deri në 150 milionë euro në vit. Në periudhën 2011-2015, euro u stabilizuar në kuotën e 140 lekëve, pavarësisht luhatjeve të saj në bursat ndërkombëtare, që amortizoheshin nga dollari. Psh, në mars 2015, kur euro ra në bursa në nivelet e 1.06 dollarë, në tregun e brendshëm euro këmbehej me 140 lekë, ndërsa dollari u ngjit në kuotën e 130 lekëve.

Capture-24Sot, euro në bursa është pranë nivelit më të lartë në tre vjet dhe këmbehet me 1.23USD, ndërsa tek ne monedha e përbashkët ka zbritur poshtë 132 lekëve, ndërsa dollari është në kuotat e 107.3 lekëve.

Revanshi i lekut filloi që në gjysmën e dytë të vitit 2016, kur zbriti deri në 134 lekë në dhjetor. Janari 2017 nisi me rritje, por më pas euro u nënçmua vazhdimisht tek ne edhe pse u forcua në bursat ndërkombëtare. Në 27 qershor, dy ditë pas zgjedhjeve, euro zbriti nën 132 lekë, duke vendosur një rekord që nga 2099-a. Burimi i lartë i parave informale është etiketuar si një nga faktorët që ka rritur ofertën për valutë në vend.

Në periudhën e verës dhe deri në fund të vitit euro u stabilizua në nivelin e 133-134 lekë, për të shënuar sërish rënie me fillimin e këtij viti. Tre javët e fundit, me përjashtim të një dite, euro ka qenë në trend rënës, për të arritur në ditën e sotme kur u vendos një rekord i ri i 10 viteve të fundit.

Ekspertët e kishin parashikuar që euro do të ishte në një trend rënës të qëndrueshëm, si për shkak të ofertës së lartë në valutë, qarkullimit të ulët të monedhës vendase si dhe strategjisë së prezantuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë për të dekurajuar përdorimin e lartë të euros në ekonominë vendase./monitor/


(BalkanWeb)