Erion Dasho ben thirrjen e fortë: Nëntori pritet të jetë një muaj ferri, erdhi koha për…

1111
0

Nga Erion Dasho

TË NDERUAR KOLEGË, KOHA PËR TË FOLUR!
Që nga fillimi i epidemisë së COVID, shumë mjekë u sëmurën, një pjesë e madhe u shtruan në spitale, një pjesë humbi edhe jetën. Disa kolegë shpëtuan vetëm sepse u trajtuan jashtë vendit.
Nuk ishte faji ynë! Ishte faji i një administrate që i la pa maska, pa viziera, pa doreza, madje edhe në kulmin e pandemisë!

Që nga fillimi i epidemisë, shumë kolegë i kanë transmetuar virusin pacientëve të tyre. Midis pacientëve, ku pothuajse kushdo është i moshuar ose i prekur nga sëmundje kronike, një numër i madh humbi jetën.
Nuk ishte faji ynë! Ishte faji i një shteti që në vend që t’i mësonte, i ter rorizoi dhe u tall me qytetarin.
Që nga fillimi i epmidemisë, shumë prej nesh dhanë mjekime të gabuara.

Nuk ishte faji ynë! Ishte gjithë komuniteti ndërkombëtar që nuk dinte dhe akoma nuk di gjithçka rreth COVID!
Qe nga fillimi i kësaj vale të dytë, mjekët e familjes dhe ata specialistë vazhdojnë të japin receta bombastike me antibiotikë, antikoagulantë dhe kortizonikë.

Nuk është faji ynë! (Këtu duhen përjashtuar sharlatanët e paktë që marrin përqindje nga recetat e farmacistëve dhe që për fat të keq nuk kanë munguar). Është faji i një ministrie dhe një komiteti që ende edhe sot nuk kanë një protokoll standard për trajtimin e pacientëve. Dje në forumin e 5,000 mjekëve kishte mjekë familje që u kërkonin kolegëve një protokoll të publikuar para disa ditësh në datën 10 tetor! Fiks 7 muaj pas fillimit të epidemisë në Shqipëri.

Që nga fillimi i kësaj vale të dytë, nuk ka mjek në Shqipëri që të mos kujdeset për një spital “virtual”. Pacientë që trajtohen në shtëpi, që ankohen se nuk vijnë t’u bëjnë testin, se medikamentet janë shumë të shtrenjta, se skanerin e bënë në privat për 200 EURO, se infermieri që bën injeksionin kërkon 50 EURO për vizitë, etj. Apo edhe më keq, se prindit i ka rënë saturimi në 60 apo 70 po ka frikë të shkojë në spital, apo se familjari është në prag të humbjes së jetës.

Nuk është faji ynë! Është faji i një shteti që e ka lënë qytetarin e vet në mëshirën e virusit dhe vetë mburret me spitale dhe qendra 3D, të shitura tek oligarkët dhe konçesionarët, të cilët veç barit e bojës, nuk kanë patur asnjë përmirësim gjatë shtatë viteve që u punua “për shëndetësinë falas”. Përkundrazi, mjekët dhe infermierët që janë “motori” i sistemit e kanë braktisur Shqipërinë në këto vite me ritmet më të larta.
POR AMA TË NDERUAR KOLEGË, GJITHÇKA E KA NJË KUFI!

Deri tani nuk ka qënë faji ynë! Nga ky moment, kur nëntori pritet të jetë një muaj ferri për pacientët, familjarët, miqtë e të afërmit tanë, heshtja është bashkëfajësi!
Mendoj se ka ardhur koha që mjekët dhe infermierët e Shqipërisë të mos ulin kokën, por t’i kërkojnë të paaftëve që na drejtojnë ose të marrin masa urgjente, reale dhe jo 3D, ose të largohen dhe t’i lënë vendin atyre që dinë dhe duan të drejtojnë.
Përndryshe nga këto momente e tutje jemi të gjithë bashkëfajtorë!