Temperaturave verore u erdhi fundi. Java e fundit e shtatorit shënoi fillimin e vjeshtës së vërtetë. Termometri shënoi një ulje prej 10 gradësh ndërsa i gjithë vendi u përfshi nga reshjet e shiut. Në zonat urbane veçanërisht ato në perëndim të vendit pati shtrëngata te shkurtra duke shkaktuar përmbytje të pjesshme.
Meteorologët thonë se sasia e reshjeve të rëna gjatë natës varioi nga 30 në 40 mm shi. E diela përmirësohet dukshëm dhe reshjet e shiut priten vetëm në disa zona të izoluara. Por situata sinoptike do të ndryshojë, duke u gdhirë e hëna.
Sinoptikanët parashikojnë reshje te dendura në të gjithë vendin, ku nuk përjashtohen përmbytjet në zona të caktuara. Muaji shtator do të mbyllet i lagësht dhe me mot të freskët. Ditët e para të tetorit do të rikthejnë temperaturat shumë pranë 30 gradëve, por kjo situatë sipas meteorologëve do të jetë e përkohshme dhe jo më shumë se 10 ditë.