Ëndrra amerikane 3

837
0

Rekordi tronditës i aplikantëve për Lotarinë Amerikane në 2018 dhe pse shqiptarët vijojnë të synojnë “ëndrrën amerikane”. Rreziku i zbrazjes së vendit dhe fenomeni i fundit i “largimit të trurit”. Nga shkaqet ekonomike te mungesa e stabilitetit dhe e të ardhmes së fëmijëve. Flasin pedagogët Roland Lami dhe Besarta Vladi

Nga Nevila Perndoj

Shqiptari i pasur apo ai që llogarit muajin, e kanë një të përbashkët. Kamja dhe skamja vijojnë të kenë të njëjtën ëndërr. Kanë kaluar gati tri dekada nga përmbysja e sistemit komunist në vend, por synimi mbetet toka e premtuar, Amerika e largët. Njësoj si dikur, para shpalljes së pavarësisë kur shumë shqiptarë iu bashkuan mijëra europianëve që kaluan Atlantikun, ndërsa në vitet ’90 ishte vala e dytë emigratore e shqiptarëve drejt SHBA, por jo vetëm.

Ndryshimi i vetëm është se tashmë mënyra e emigrimit është; lotaria amerikane.

Njerëz të thjeshtë, intelektualë, studentë, së fundmi edhe kryebashkiakë i janë dorëzuar fatit gjithnjë e më shumë edhe pse administrata “Trump” kërkon të ndryshojë rregullat e hyrjes në SHBA.

Reporter.al raportoi se më pak se 4500 shqiptarë u shpallën fitues të lotarisë për këtë vit, me një rritje të konsiderueshme nga 2400 të zgjedhur në vitin 2017. Por kjo shifër është tejet e vogël krahasuar me numrin e atyre që aplikojnë.

Departamenti i Shtetit publikoi statistikat e aplikimeve, një procedurë kjo e ndjekur një herë në tre vjet.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2016, numri i aplikantëve (bashkë me familjarët e tyre) ishte 246 mijë ndërsa në vitin 2017 kishte 162,521 aplikime për 315,842 vetë. Viti 2018 shënoi një tjetër rritje të konsiderueshme në këtë drejtim me 367,231 aplikantë.

Shqipëria rezulton një nga vendet me më shumë aspirantë për emigrim në SHBA nëse merret parasysh edhe numri i popullsisë. Nuk mbeten pas edhe disa vende të rajonit si Kosova dhe Maqedonia, por jo në përmasat e Shqipërisë.

Kjo rrjedhje e trurit dhe jo vetëm nis ndjeshëm që prej vitit 2013. Në këtë vit kishte 59 mijë aplikime për 122 mijë vetë. Një vit më pas 84 mijë aplikime për 171 mijë vetë ndërsa në vitin 2015 shkon rreth 200 mijë aplikime në total.

Nëse do t’u referohemi statistikave të aplikimeve nga Departamenti i Shtetit të paktën për 10 vitet e fundit, mund të themi se numri më i vogël i aplikantëve nga shqiptarët ka qenë viti 2011.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 (vit ku numri i aplikimeve mbetej i lartë) u pa një rënie e aplikuesve në vitin 2010 (118,913) dhe 40,823 aplikime për 87.189 vetë në vitin 2011 që me sa duket mund të konsiderohet si viti më optimist për shqiptarët dekadën e fundit. Pas këtij viti vihet re vetëm rritje e aplikantëve.

Kjo për sa i përket rrugës ligjore që ndjekin shqiptarët. Sepse ky proces nuk duhet parë i shkëputur nga emigrimi i shqiptarëve edhe në Europë, duke ndjekur një tjetër rrugë, atë të azilit politik. Edhe në këtë drejtim shifrat janë zhgënjyese.

Revista “Monitor” publikoi rreth një vit më parë një studim të realizuar nga “Cooperation and Development Institute (CDI) / ShtetiWeb” mbi sjelljen emigratore të shqiptarëve në Gjermani për një periudhë dyvjeçare, si pjesë e serisë së Procesit të Berlinit, për çështjet e migracionit. Në mënyrë të detajuar u trajtuan kushtet, profilet, por edhe arsyet se përse shqiptarët rinisën emigrimin dukshëm prej vitit 2014. Edhe pse studimi përfshinte një periudhë dyvjeçare shkaqet që u renditën mbeten të njëjta edhe sot. Papunësia, punësimi rastësor, të ardhurat e pakta, kushtet e jetesës, performanca e ekonomisë, rënia e kërkesës për punë, mungesa e shpresës janë disa nga arsyet. Siguria e jetës konsiderohet një tjetër faktor shtytës.

Megjithatë, e parë e në një plan më të gjerë, “american dream” apo e thënë shqip ëndrra amerikane mbetet për shqiptarët një terren shprese, por dhe prove për një jetë më të mirë.

Dr. Besarta Vladi, Lektore në Fakultetin e Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit në UET sjell një shpjegim mbi dallimin e atyre që emigrojnë në Europë dhe atyre në SHBA. “Mendoj se largimi në vendet fqinje historikisht është parë si zgjidhja më e shpejtë dhe më e sigurt e problemeve ekonomike, për familjet me më pak të ardhura dhe nivel arsimor të pamjaftueshëm për të mbijetuar në tregun e punës. Nga ana tjetër, emigrimi në Amerikë mendoj se është parë dhe vazhdon të shihet si një investim afatgjatë, për ato familje që duan të sigurojnë jo vetëm të ardhurat bazë për minimumin jetik apo të garantojnë një jetë normale, por edhe të ardhmen e fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tyre. Amerika shihet si vendi që garanton suksesin dhe karrierën e sigurt, jetën e qëndrueshme ekonomike, stabilitetin financiar, mundësitë për arsimimin më të mirë etj.”, thotë ajo.

Ndërsa dr. Roland Lami, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara në UET, flet për dy fasha kategorish që synojnë të emigrojnë jashtë.

“Referuar të dhënave të azilkërkuesve dhe aplikantëve të lotarisë amerikane vërehet se janë kryesisht dy fasho që kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Fasho e parë është kategoria e personave që janë në vështirësi ekonomike. Për ta instinkti i mbijetesës është më i fortë se forca e arsyes për të arsyetuar mbi sanksionet ligjore apo administrative që parashtron sistemi Shengen. Për sa kohë, situata ekonomike do të vazhdojë të jetë kjo që është për kategorinë në fjalë fenomeni i azilkërkuesve si dhe punësimi sezonal në vendet e BE do të jetë ky që është. Fasho e dytë është shtresa e mesme që nuk kanë probleme të mbijetesës, përkundrazi kanë arritur një standard, por kanë shqetësim të ardhmen e fëmijëve. Nëse në rastin e parë ngrihet shqetësimi i reduktimit të forcës fizike të punës te fasho e dytë ngrihet shqetësimi i rrudhjes së mëtejshme të shtresës së mesme dhe asaj që ndryshe njihet si fenomeni i ikjes se trurit”, shpjegon Lami.

Ndërkohë, analisti Artur Zheji në një shkrim të tijin për fenomenin e largimit të shqiptarëve nga vendi shtron edhe një pyetje nëse “zbrazja e Shqipërisë është një pazotësi dhe një dështim i politikës shqiptare, apo edhe një konspiracion më i gjerë dhe i vetëdijshëm i kupolës që drejton sot Shqipërinë, për t’u çliruar nga të pakënaqurit dhe nga të papunët e këtij vendi, duke ua shkarkuar vendeve të tjera si një barrë skllevërish?…”.

Në fakt gjithçka mund të hamendësohet sa kohë që vetë kryeministri Edi Rama pak kohë më parë surprizoi me një përgjigje i pyetur nga gazetarja e “France 24” nëse i vinte keq që Shqipëria kishte numrin më të madh të të rinjve që emigronin në BE.

“Jo, nuk na vjen keq se historia na tregon se vendet që janë më të pasura sot në Europë kanë qenë të varfra, ku njerëzit kanë emigruar janë kthyer pas me kultura e kapacitete të reja duke i bërë vendet e tyre më të pasura”, -tha ai. Por a është e mjaftueshme kjo përgjigje në kushtet aktuale dhe shifrave kokëforte që “bombardojnë” kufijtë në Europë dhe përtej Atlantikut? Roland Lami ngre alarmin se, “nëse nuk mendojmë seriozisht për këto ndryshime demografike, struktura sociale ekonomike dhe politike do të pësojë fraktura të mëdha që do të kërkojnë shumë vite për t’u riparuar”.

Kurba e aplikimit të lotarisë amerikane prej vitit 2007

Numri i aplikimeve Bashkë me familjarët

Viti 2007

70,390 173,012

2008

67,381 162,360

Viti 2009

68,584 160,810

Viti 2010

53,104 118,913

Viti 2011

40,823 87,189

Viti 2012

55,686 115,357

Viti 2013

59,241 122,567

Viti 2014

83,615 171,362

Viti 2015

100,472 198,625

Viti 2016

127,277 246,129

Viti 2017

162,521 315,842

Viti 2018

189,168 367,231