Qeveria kërkon përjashtimin emigrantëve nga bonus i bebes

157
0

Emigrantët përjashtohen nga përfitimi i bonusit të bebes. Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë” duke përcaktuar edhe ndryshimet për përfituesit e bonusit të bebes.

Sipas këtij projektligji, shtetasit shqiptarë që nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga ky përfitim.

Në projektligj nuk përcaktohet se sa është numri i shtetasve shqiptarë që do të preken nga ky përjashtim dhe arsyet se përse u ndërmor ky ndryshim.

Deri më tani të gjithë familjet shqiptarë që sillnin në jetë një bebe pavarësisht se ku jetonin përfitonin mbështetjen financiare nga programi i qeverisë, i cili jepet prej vitit 2019 në Shqipëri.

Sipas vendimit të qeverisë, prindërit që sillnin në jetë fëmijën e parë përfitonin 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë 80 mijë Lekë, dhe për fëmijën e tretë e në vijim nga 120 mijë Lekë.

Mesatarisht 21 mijë foshnje në vit marrin bonusin e bebes në Shqipëri. Ndërsa që prej Janarit të vitit 2019 kur ka nisur programi i qeverisë, më shumë se 170 mijë fëmijë kanë përfituar nga ndihma financiare.