Skip to content

Eksperti jep lajmin e keq për Lotarinë Amerikane: Pezullimi mund te jete pa afat..

    Pezullohet Lotaria Amerikane, pasiguri për fituesit shqiptarë. Eksperti: “Kush ka vizën, të udhëtojë menjëherë”

    Pezullimi i Lotarisë Amerikane ka ngritur shqetësim të madh mes shqiptarëve, ndërsa mungesa e udhëzimeve zyrtare ka shtuar paqartësinë për fituesit dhe aplikantët. Çështja u diskutua në një lidhje direkte nga New Jersey me ekspertin e emigracionit në SHBA, Lorenc Mansaku.

    Sipas Mansakut, pezullimi aktual lidhet jo vetëm me Lotarinë Amerikane, por edhe me regjistrimet për programin DV 2027, të cilat janë vonuar. Deri tani nuk ka një udhëzim të qartë nga Departamenti i Shtetit për mënyrën se si do të procedohet, ndërsa po shqyrtohen hapat e mëtejshëm në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

    Ajo që dihet zyrtarisht është se të gjitha aplikimet për ndryshim statusi brenda SHBA janë pezulluar. Ekziston frika reale që pezullimi të shtrihet edhe te intervistat në konsullata në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, megjithëse deri në këtë moment intervistat vijojnë normalisht.

    Mansaku thekson se, nëse pezullimi zgjatet, rrezikohen edhe fituesit aktualë të DV 2026, pasi programi ka një afat të prerë: më 30 shtator 2026 mbyllen të gjitha intervistat dhe procedurat. Kush nuk e përfundon procesin deri në këtë datë, humbet të drejtën, pavarësisht se ka fituar.

    Sa i përket mundësisë së anulimit total të Lotarisë Amerikane, eksperti sqaron se kjo nuk mund të ndodhë pa miratimin e Kongresit amerikan dhe pa ndryshime në Aktin e Emigracionit dhe Nënshtetësisë. Megjithatë, nuk përjashtohet një rishikim i kritereve, duke favorizuar emigracionin e punonjësve të kualifikuar.

    Një këshillë e qartë u dha për ata që tashmë e kanë marrë vizën: të udhëtojnë sa më shpejt drejt SHBA-së. Sipas Mansakut, në momentin që një person hyn në territorin amerikan me vizë emigrimi, ai konsiderohet rezident i përhershëm, edhe nëse mund të ketë vonesa në marrjen fizike të green card-it.

    Ndërkohë, shqetësimi mes shqiptarëve mbetet i lartë. Lotaria Amerikane ka qenë për dekada një nga rrugët kryesore të emigrimit të ligjshëm dhe një shpresë reale për mijëra familje. Për momentin, situata mbetet e hapur dhe çdo vendim i ri pritet nga autoritetet amerikane në ditët në vijim.