EKSKLUZIVE/ Ky është biznesmeni me lidhje të forta në Turqi që do të ketë në pronësi “Air Albania-n”

783
0

Kompania shqiptare e fluturimeve “Air Albania” pritet të ngrihet brenda dhjetë ditëve.

Vendimi për hapjen e procedurave të ngritjes së kompanisë në fjalë është botuar në Fletoren Zyrtare dhe detyron autoritetet që të ndërmarrin hapat e nevojshme për konkretizimin e saj brenda datës 17 qershor.

Pala shqiptare do të ketë 51 për qind të aksioneve, ndërsa krahas “Albcontrol” dhe “Turkish Airlines”, aksioner në kompaninë e re që do të ketë në pronësi “Air Albania” do të jetë edhe kompania “MDN Investiment”.

Kompania “MDN Investiment” është regjistruar vetëm një muaj më parë në QKR.

Mësohet se pas kompanisë në fjalë është një emër i njohur kryesisht për futbolldashësit, pikërisht Presidenti i Flamurtarit Sinan Idrizi.

Ky i fundit është në bashkëpunim me dy kompani turke si “Atlas Global” dhe “TRK Group”, ndërsa familja e tij, me prejardhje nga Çamëria ka lidhje të forta në Turqi.

Kompania “MDN Investiment” në pronësi të Sinan Idrizit me 100 për qind të aksionëvë është regjistruar në 7 maj të këtij viti dhe ka si objekt të aktivitetit të saj pikërisht shërbimin e menaxhimit të aeroporteve, furnizimit me karburant, etj.

Nuk dihet nëse Idrizi ka hyrë në këtë biznes me miratim të Ramës apo kërkesë të turqve, megjithatë duket se këta të fundit do të kenë dorë kryesore në “Air Albania” edhe për faktin se partnerë të Idrizit janë gjithashtu edhe dy kompani të tjera turke krahas “Turkish Airlines”.