Edhe sikur të vdesë Rama nga infarkti, Basha nuk i fiton dot zgjedhjet lokale

620
0

Nga Kreshnik Spahiu

Mos u habisni për çfarë kam titulluar se kjo tashmë është e provuar. Basha nuk i fiton dot kurrë zgjedhjet lokale jo me Ramën, por edhe sikur sot të ik Rama dhe me marrveshje të bëhet Berisha kryeministër i qeverisë teknike. E gjitha kjo nuk është bindje por një analizë e detajuar politike. Basha nuk ka asnjë shans të fitojë zgjedhjet lokale për këto arsye:

1- Është fakt që PD i humbi zgjedhjet lokale që në vitin 2011, me Sali Berishën kryeministër dhe madje me LSI në koalicion Basha e humbi Tiranën me 10 vota ndonëse PD kishte LSI me 20.000 vota por edhe Hysni Milloshin e partisë komuniste, që i hoqi 1700 vota të majtës. Rezultati do ishte edhe më i thellë në humbje duke patur parasysh që përballë kishte një Edi Ramë i cili kandidonte për herë të 4 si kryetar bashkie dhe ishte shumë i konsumuar si dhe ja kishte varur fare punëve në Tiranë!

2- Është fakt që me Berishën kryeministër, si dhe LSI në koalicion, PD-ja humbi Durrësin, Elbasanin, Korçën, Vlorën, Fierin dhe shumicën e Shqipërisë. Jo vetëm kaq por Basha humbi edhe Dibrën pas skandalit të Shukriut. Madje në fshatin ku ka lindur gjyshi i tij mori vetëm 12% vota. Askush nuk e votoi në fshatin e origjinës.

3- Është fakt që ky rezultat i humbjes së demokratëve thellohet pas ndryshimeve të ndarjes administrative që ndodhën në 2015 e ku shumë nga qytetet e mëdha janë të favorizuara që të fitojë e majta pasi ligji u bë në mënyrë të njëanshme nga socialistët, por sot e kësaj dite Lulzim Basha nuk e kupton trukun juridik ndonëse i thotë vetes jurist. Për t’ja i shpjeguar lexuesve më thjeshtë sepse ndoshta ata e kapin më shpejt se Lul Basha analizën ligjore: Nëse Tirana ka 300.000 votues dhe 150.000 vota të majta, me ligjin e ri Tiranës ju shtuan edhe 60.000 vota të majta sepse Bashkisë Tiranë iu bashkangjitën komuna socialiste si Ndroqi, Zallbastari, Surreli, Priska etj. Ndërsa komunat e djathta u bashkuan administrativisht në një thes me Kamzën, Bathoren, Paskuqanin.

4- Është fakt që nga 2015 Partia Demokratike si strukturë është dobësuar dhe nuk është forcuar.  Basha ka një parti politike disa herë më të dobët se PS por madje edhe më të dobët se PD-ja e kohës së Berishës në 2011-ën. Duke qenë një lider i dobët Berisha u kujdes që askush mos bëhej rival me Bashën dhe të mbante në parti me profile të ulta. Me pak fjalë, poshtë kryetarit Basha vinë 100 shkallë bosh, në shkallën e 101 është niveli zv/ kryetarit Mond Spaho dhe pastaj vinë gjithë zhelet e tjera në parti.

5- Është fakt që Basha nuk lejonte promovimin e asnjë kandidati si figurë e ardhshme për bashkitë se ka shumë shumë frikë nga figurat e forta në parti. Nuk është e rastit që për çdo qytet mund të gjesh figura rivalizuese por jo brenda në PD por vetëm jashtë saj: PSh. E. vetmja figurë per Tiranën mund ishte Dash Shehu por ai nuk është në PD por parti tjetër, e vetmja kandidaturë për Durrësin mund ishte Agron Duka por edhe ai nuk është në PD por parti tjetër, e vetmja kandidaturë për Elbasanin mund ishte Edmond Haxhinasto por ai nuk është në PD por LSI, e kështu me radhë, sepse  Basha të do afër por jo brenda tepsisë që ti bësh hije.

6- Është fakt që Basha dhe PD janë totalisht të papërgatitur për zgjedhjet lokale sepse nuk i interesojnë aspak që të rrezikojë postin e kryetarit në PD. Duke bojkotuar zgjedhjet ai shmang humbjen, dhe thotë: zgjedhjet u vodhën nga narko-shteti, duke vazhduar rrugëtimin si kryetar duke mos i kërkuar askush dorëheqjen. Pra  Basha me bojkotin shmang dorëheqjen e tij si pasojë e humbjes. Për këto arsye ai nuk e ka vënë fare ujin në zjarr dhe ka heshtur për ndryshimet ligjore dhe kushtetuese për zgjedhjet lokale në parlament prej 6 vitesh.

7- Është fakt që Basha nuk do hyjë në zgjedhjet lokale edhe sikur Berishën t’ja bëjnë kryeministër sepse ky nuk është një vendim që u mor sot për sot por është projektuar pas mbylljes së çadrës. Bojkotin e zgjedhjeve të 2017, Basha e spostoi sot në 2019 si e vetmja mënyrë për ta trazuar Shqipërinë dhe për ta marr pushtetin në tavolinë. Basha nuk shpreson të fitojë me votë, prandaj nuk e hap dhe nuk e forcon partinë. Ndërkombëtarët janë indiferent, madje ata më shumë janë të gëzuar që PD po del jashtë sistemit dhe aspak të shqetësuar. Në këto kushte ambasadorët as kanë ndërmend t’i luten Bashës apo Monikës që të hyjnë në zgjedhje sepse ato do certifikohen dhe quhen të ligjshme me apo pa Lulin.

Jo rastësisht ai ka 12 qytete pa kryetar. E si mund ta fitoj Tiranën Lulzim Basha kur sahati i ka ngel tek Aldo Bumçi që e ka shkarkuar para 6 vjetësh dhe Tiranën e ka lënë bosh pa drejtues sepse nuk i intereson as organizmi partiak dhe as zgjedhjet.

Po iku Rama nga presioni do ishte mirë për Lulin, nëse nuk ikën me presion atëherë bojkot pa limit dhe tymi ti dal Shqipërisë sepse Basha nuk e mund dot jo me Berishën kryeministër por edhe sikur Vladimir Putin të kandidoj me logo të PD.

Madje as festimet në PD nga lajmi i çunit të Fahriut që Rama po vdes nga zemra, nuk e shpëtojnë dot Bashën nga humbja.