Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesnatën e kësaj të shtune në Sarandë.
Uniformat blu bëjnë me dije se, një 17-vjeçar ka ndërruar jetë pasi e ka zënë poshtë ashensori në lokalin ku ai punonte si kamarier.
Nga informacionet zyrtare mësohet se policia ka vënë në pranga një 43-vjeçar i cili rezulton se ka montuar ashensorin që shërbente për furnizimin e lokalit, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i këtij biznesi.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale ”Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin L.A., 43 vjeç, banues në Sarandë si dhe shpallën në kërkim shtetasin S.I., 37 vjeç, banues në Sarandë.
Arrestimi i 43-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 37-vjeçarit u bë pasi:
Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Nr. 1″, Sarandë, në lokalin në pronësi të shtetasit S. I., është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë shtetasin A. D., 17 vjeç, (ndihmës/kamarier në këtë lokal). Për pasojë, 17-vjeçari ka humbur jetën.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 43-vjeçari i arrestuar kishte montuar ashensorin e lokalit ndërsa 37-vjeçari i shpallur në kërkim është pronari i lokalit dhe vijon puna intensive për kapjen e tij”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.