E tallin shokët se është i veçantë, historia e djalit që përloti shqiptarët

601
0

E ftuar në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ditën e sotme ishte e ftuar Elizabeta, nënë e një vogëlushi të veçantë, i lindur albin. Elizabeta ka treguar se djali i saj 11-vjeçar ka rënë pre e bullizmit që i vogël dhe kjo e ka bërë që ndonjëherë të braktisë dhe shkollën.

“Unë jam fëmijë i një divorci, në moshën 5 vjeçare më janë divorcuar prindërit. M’u ndanë prindërit, mamaja emigroi në Greqi, babai erdhi me shtëpi në një fshat të Fierit dhe me peripeci u rritëm. Siç e kanë shqiptarët që martojnë vajzat e vogla, më martuan edhe mua shumë të vogël.

E pranova, u martova, të gjitha në rregull. Pas 2 vjetësh erdhi në jetë djali, për të cilin jemi këtu. Orgesti në Prill mbush 11 vjeç. Unë si e vogël që isha (16 vjeçe), edhe këto vizitat nuk i kryeja tërë kohës, sado ishte shtatzëni e vështirë… Duhet të merrja shumë vitamina për djalin, që unë nuk i mora. Djali lindi albin.

Pa pigment, bjond. Unë kam lindur ashtu vetë, por tani jam ndryshe. Ndoshta e kemi pak në gen. Por peripecia fillon tani, që është bjond. Deri në moshën 4 vjeç, që e kisha në shtëpi, ne e pritëm dhe e deshëm ashtu siç ishte.

Por kur u përball me realitetin, kur filloi të shkonte në kopsht… edhe atje nuk e pati shumë të vështirë, sepse ishte i vogël për të kuptuar. Në klasë të parë e pati më të vështirë. Mësuesja, të cilën nuk dua ta gjykoj se është edhe nënë vetë, nuk ma priti mirë fare dhe e uli djalin në bankë të fundit.

Djali ka edhe probleme me përqendrimin e syrit (i dridhet syri). Ai mendon se po ta ketë më afër diçka e sheh më mirë, edhe pse në të vërtetë njësoj e sheh”, u shpreh Elizabeta.

Ajo tregon se Orgesti ka ndryshuar disa shkolla dhe banorë të lagjes e paragjykojnë.

“Më 4 Gusht, kishim një dasmë nga njerëzit e burrit dhe shkoj në parukeri për t’u rregulluar dhe kthehem dhe për 2 orë do të nisesha për në lokal. Unë punoj banakiere në një lokal. Shpeshherë gjatë gjithë beharit, djali vinte më thoshte, dy-tre herë, që është një burrë, më bezdis… thonë që është pijanec.

Unë e anashkaloja këtë gjënë, nuk e dija që ai rrallë pinte, ishte normal. Atë ditë, sa isha rregulluar ndërsa djali luante jashtë hyrjes. U mbështeta, se mendova gjithë natën, thashë po fle pak. Djali vjen dhe i bie derës me të dyja duart. Trembem, hap derën dhe e pyes “çfarë ke mami?”. Mbante dorën tek faqja që e kishte të skuqur.

Më qëlloi ai burri më thotë, që të kam thënë tërë kohës. Para se të dilja lajmëroj policinë dhe dal dhe e qëlloj atë burrin dhe i them ca fjalë në nerva e sipër. Në moment vjen policia.I dukej si i sëmurë dhe nuk donte që t’i rrinte afër fëmijëve të tij. Kishte vetë dy goca.

Dhe e më e keqja ishte që në polici tha: E qëllova se më ngacmon gocat. Shkojmë në polici. Një polic i ri, të cilin e falenderoj shumë, iu duk anormale: Po ti burrëri me këtë bën, i tha? Në polici më thanë të bëja denoncim, por më erdhi keq, kështu që vendosa të bëja vetëm një ankesë. Pas një jave, unë po ikja për në punë me djalin.

Unë zonjën se njihja fare, ne jetojmë në një lagje, por ngaqë jam gjithë kohës në punë, se njihja. Ndalon në rrugë dhe më thotë: Ty po të kërkoja. Ndal dhe e pyes, njihemi? Më thotë: Jam gruaja e atij që futi surrati jot në burg. I thashë, ti je nënë vetë, nuk e mendon që pata të drejtë të mbroj fëmijën tim. Por rri mi, më tha, ty të ka dënuar Zoti me këtë fëmijë.

Unë nuk mund të edukoj tërë shqiptarët, por të paktën me një fëmijë. Jo timin, me çdokënd. Unë kam qenë edhe në Greqi, ndoshta dhe atyre nuk u pëlqente, por thonin: Sa i veçantë, sa i bukur… e bënin të ndihej mirë. Ndërsa këtu thonë: Iii si qenka ky”.

Stafi i “E Diela Shqiptare” kishte ftuar në studio edhe drejtoreshën e shkollës së Orgestit, zonjën Majlinda Hyka.

“Orgesi është një fëmijë shumë i edukuar, një fëmijë që përdor fjalët magjike, që nuk ofendon kurrë të tjerët, por që preket dhe lëndohet kur e ofendojnë të tjerët. Kjo është e vërteta e Orgestit. Unë jam këtu për t’i thënë jo vetëm Orgestit, sepse si ai ka edhe fëmijë të tjerë, jam këtu nga pozita e një prindi, si mësuese, si drejtuese u bëj thirrje të gjithëve, pavarësisht statusit, të kontribuojmë, të shqetësohemi për këtë kategori fëmijësh që ky fenomen të mos bëhet një epidemi sociale”, tha drejtoresha Hyka.

Kur mori mesazhin nga emisioni Orgesti tha: “Nuk e di kush ma ka nisur. Shokët jo e jo, se nuk është se kam ndonjë shok të mirë fare.”

“Biri im ti e di që mami të ka trajtuar gjithnjë si shok, jo si fëmijë. Dua që siç kemi qenë gjithmonë shokë, prap të jemi shokë. Gjithmonë të m’i thuash gjërat, sepse kur i ndan me dikë është edhe më mirë. Dhe pse se jo me mua që dua gjithmonë të mirën, bashkë do t’i zgjidhim të gjitha”, i tha Elizabeta të birit.

Në fund Ardit Gjebrea dha një mesazh: “Ka diçka që nuk shkon dhe duhet ta rregullojmë, që është në mentalitetin e njerëzve dhe këtë gjënë duhet ta rregullojmë shumë fort. Në bashkëpunim me fëmijët, me familjet dhe të kuptojmë që problemin e kanë ata, siç e thashë edhe më parë, është problem i tyre, problem që do ta vuajnë në një mënyrë tjetër kur të rriten, sepse do të përballen me shoqërinë dhe do të jenë ata, të cilët… Kush e do një njeri që sillet keq? Që fyen? Që shan?

Në jetën tonë askush nuk e do. Dhe do të jenë ata të larguar nga rrethi social dhe do të jetë Orgesti i preferuari i shoqërisë e jo ata. Dhe këtë gjë, duhet që prindërit t’ua bëjnë të qartë fëmijëve sa janë të vegjël. Prindërit, mësuesit, ne me emisionet televizive, sepse ne nuk jemi vetëm për të argëtuar këtu, por mbi të gjitha për të reflektuar. “Ka një mesazh për ty” është flamurtari i kësaj gjëje. Prandaj do doja që realisht të reflektonim këtë gjë dhe jo sepse erdhëm këtu, por kjo gjë të ndodhë kudo, në çdo vend”.

Burimi: tvklan.al