E rende/ Kolegët i hapën profil denigrues në rrjetet sociale, nëna e 4 fëmijëve i jep fund jetës duke pirë fotoksinë

253
0

Një grua nga fshati Vardardhë i Sukthit, nënë e 4 fëmijëve, dyshohet se i ka dhënë fund jetës, pas denigrimit në rrjetet sociale. Në emër të saj u hapën profile, kryesisht në Tik-Tok, që denigronin figurën e saj si grua, me etiketime si e pamoralshme.

41-vjeçarja duket se nuk i ka rezistuar presionit shoqëror në një komunitet të vogël dhe më pas edhe në familje. Në kushte të rënduara psikologjike ka pirë fostoksinë, tri ditë më parë, më 2 janar. Familjarët e kanë çuar me urgjencë në spital në Tiranë, por gruaja ndërroi jetë.

Nëna e 4 fëmijëve,  3 djemve dhe 1 vajze, përkatësisht 21 vjeç,18 vjeç,16 vjeç dhe 10 vjeç, punonte në një fabrikë fasonerie në zonën e Fllakës. Bashkëshorti i saj bënte punë sezonale në Greqi, por për festa ishte pranë familjes. Para efektivëve ka thënë se nuk kishin konflikte në çift dhe se nuk e di shkakun e vetëhelmimit të gruas.

Nga fakti që gjuha e shëmtuar dhe fyese ndaj saj në rrjetet sociale, lidhet me punën e saj në fabrikë, dyshimet e hetuesve janë se profilet denigruese të jenë hapur nga punonjëse të tjera të fabrikës, ndaj po hetohet se si kanë qenë marrëdhëniet mes kolegeve.

Pas bërjes publike të skandalit nga faqja e Tik Tokut është fshirë fotoja e gruas e cila ishte vendosur në profil ndërsa janë fshirë dhe videot denigures

Ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria e Durrësit, për të zbuluar së pari, personin që ka hapur profilin fals në rrjetet sociale, duke e konsideruar krim kinernetik.

Familja nga Dirba ishte vendosur në fshatin Vadardhë të Sukthit pas viteve ’90./shqiptarja/