Duhet të ishin personat që kujdeseshin për të, por në fakt infermieret e një shtëpie të moshuarish në Kosovë shihen teksa godasin barbarisht një grua në ambientet e institucionit ku punojnë.
Video dramatike është shpërndarë në rrjetet sociale. Sipas mediave në Kosovë ngjarja ka ndodhur në një shtëpi të moshuarish në Pejë, por nuk dihet data kur ka ndodhur.
Në video shihet një prej infermiereve që godet me shuplakë në fytyrë dhe në kokë të moshuarën, e cila është e pafuqishme të reagojë, teksa një tjetër person filmon videon duke qeshur. Në ambientet ku ndodh ngjarja ka edhe persona të tjerë, por askush nuk ndërhyn për të ndalur rrahjen, madje të gjithë qeshin me atë që po ndodh.
Policia e Kosovës deklaroi më vonë se ka arrestuar dy punonjësve të shtëpisë së pleqve në Pejë, të cilat akuzohen për rrahjen e të moshuarës. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se Prokuroria i ka angazhuar dy prokurorë për ta hetuar rastin. “Kryeprokurori ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitë relevante policore që të shkohet në vendin ku është kryer ky krim dhe të merren të gjitha masat e nevojshme lidhur me rastin”, ka thënë Nikçi.