E mbyti nënën me plastmas/ Detaje të rënda nga vrasja në Përmet, flasin fqinjët: Djali ishte ekselent në Amerikë.

646
0

Një ngjarje shumë e rëndë ndodhi të shtunën në Përmet pasi djali mbyti nënën e tij. Gazetarja Dorina Muhaj përcolli gjatë një lidhje direkte në Klan News detaje të reja nga kjo tragjedi. Rasti tronditi opinionin publik.

Gazetarja ishte pak metra larg banesës së familjes Muhollari nga ku djali, Albi, vetëm 24 vjeç ia mori jetën nënës duke e mbytur me plastmas. Sipas saj, në banesë në momentin e ngjarjes kanë qenë vetëm viktima dhe autori. Fqinjët nuk kanë dëgjuar asgjë. Kur ka shkuar babai, ai është përpjekur të parandalonte krimin, por ishte tepër vonë. Pasi vrau nënën 65-vjeçare, Albi tentoi të arratisej, por u kap shumë shpejt nga policia.

I riu kishte shfaqur prej disa ditësh probleme të shëndetit mendor. Ajo që bëhet e ditur është se ai kishte studiuar në Amerikë dhe ishte kthyer në shtëpi prej 4 ditësh. Babai i tij është munduar që të kërkojë ndihmë, pasi i kishte vënë re problematikat tek i biri, por sipas dëshmive, nuk kishte arritur të merrte një firmë mjeku që djali të trajtohej me ndihmën mjekësore. Sipas dëshmitarëve, autori i kësaj ngjarje të rëndë ishte student ekselent, por që në adoleshencë kishte shfaqur shenja agresiviteti dhe dhune.

“E ka mbytur atë me plastmas. Sipas dëshmive që kemi marrë na thuhet se familja jetonte, shkonte dhe vinte në Amerikë, aty ku jetonin prej vitesh vajzat e kësaj familjeje dhe Albi në të njëjtën kohë, i cili kishte shkuar aty me studime. I kishte përfunduar studimet dhe ishte kthyer në familje, pra në Përmet, në lagjen “Partizani” vetëm 4 ditë më parë. Ai kishte shfaqur prej disa ditësh probleme të shëndetit mendor. I ati ka shkuar të kërkojë ndihmë, të paktën sipas dëshmive në spital, por edhe në policinë e Përmetit. Por nuk ka arritur dot pasi sipas tij mungonte firma e mjekut që djali të trajtohej edhe me ndihmën mjekësore. 24-vjeçari ka qenë një djalë, le të themi, ekselent dhe të paktën ata banorë që e njohin kanë thënë që nuk ka shfaqur probleme të paktën tek fqinjët.

Nuk kemi ende një konfirmim zyrtar sa i përket dëshmisë. Ajo që mund të themi është edhe në bazë të dëshmive që kemi arritur të marrim edhe jashtë kamerave, pohohet se djali ka pasur shenja agresive edhe në adoleshencë, ku këtë e ka shprehur nëpërmjet veprimeve dhe lojërave që ai zgjidhte për të luajtur. Në Amerikë ka shkuar me një bursë dhe ka qenë një nxënës ekselent. Problematikat i ka shfaqur vetëm para 4 ditësh kur ka mbërritur në Përmet, aty ku i ati e ka kuptuar dhe ka kërkuar ndihmë”, raportoi gazetarja.

Në lidhje me këtë ngjarje kanë folur edhe fqinjët në Përmet. Një prej banoreve është shprehur se viktima ishte shumë punëtore dhe se ngjarja i ka lënë pa fjalë.

“Ishte një grua shumë e mirë, shumë punëtore, e palodhur. Nuk dimë ç’të flasim. Kemi ngelur pa fjalë kur e morëm vesh. Jetonin këtu. Ajo shkonte në Amerikë dhe vinte edhe këtu. Jemi të befasuar”, u shpreh fqinja./tvklan/