“E marrin disa herë në muaj ose para aktit seksual”, rreziqet e pilulës së emergjencës

149
0

Pilula e emergjencës është një nga metodat kontraceptive që konsiderohet si “plani B”. Ajo këshillohet të merret brenda 72 orësh nga kryerja e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura për të shmangur shtatzëninë e padëshiruar.

Farmacistja Teuta Maçi shpjegon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se efikasitet është më i lartë në 24 orët e para. Pilula nuk ndikon në një shtatzëni të mëvonshme, gjithnjë nëse merret sipas rekomandimit. Maçi përjashton rastet kur pilula është e dëmshme siç ndodh kur merret përpara kryerjes së aktit seksual ose merret më shpesh.

Teuta Maçi: Pilula  e emergjencës është deri në 85% efikase dhe kjo vetëm nëse merret brenda 24 orëve të para. Pas 24 orëve, me çdo 24 orë që kalojnë ky efikasitet bie prandaj unë kam të dëgjuar edhe nga shoqet e mia që pavarësisht se kanë marrë pilulën e emergjencës sërish kanë mbetur shtatzënë çka duhet thënë që nuk përbën problem për lindjen e fëmijës sepse ndonjëherë krijohet ideja që kam marrë pilulën dhe mos ka ndikuar. Nuk ka ndikim, kështu që të jenë të qeta. Megjithatë, pilula e emergjencës është e sigurtë deri në njëfarë mase, kjo siguri bie sa më shumë që vonon marrja e saj nga momenti i aktit.

Ajo që dua të them është diçka tjetër që shohim edhe nga praktika që shpeshherë zonjat e marrin para se të kryejnë aktin me idenë që janë të mbrojtura dhe që mund të kryejnë marrëdhënie në mënyrë të lirshme çka është jashtëzakonisht e gabuar, qoftë në koncept, qoftë në mbrojtje. Në radhë të parë sepse mbrojtja nuk është optimale dhe në radhë të dytë sepse efektet anësore sido që të vijë puna edhe pse janë të vogla, të pakta e mund të tolerohen në përdorime sporadike të rralla, në momentin që bëhet zakon dhe që trupin e ngarkon me një dozë hormonale, sigurisht që ajo do të sjellë pasoja fillimisht në ndryshimin e ciklit e pastaj edhe me efekte të tjera qoftë gastrointestinale, ndryshime hormonale që sjell si pasojë ndryshimin e ciklit të ditëve të gjakderdhjeve kështu që ka pasoja dhe nuk duhet marrë me mendje të lirë nga vetë personi sa herë mendojnë që është mënyra më e shpejtë për të zgjidhur një problem.

Gjinekologia Elinda Gjata e përforcon këtë dhe shton se ka vajza që marrin pilulën e emergjencës disa herë brenda muajit. Kjo sjell mbingarkimin e organizmit me hormone të cilat është më mirë të merren në doza të përditshme dhe të kontrolluara.

Elinda Gjata: Marrja pa kriter e kontraceptivëve, sidomos e këtyre të urgjencës, e shohim edhe te gocat e reja, por jo vetëm në fakt, marrjen disa herë brenda muajit. Nëse ato rrezikojnë disa herë brenda muajit është më mirë që të marrin pilulën çdo ditë të minidozuar se sa të marrin bume me hormone vazhdimisht brenda muajit./tvklan.al