Një foshnje vetëm 5 ditëshe ka humbur jetën në maternitetin e Vlorë këtë fillim tetori, duke ngritur pikëpyetje të shumta te familjarët, të cilëve nuk u ishte thënë në asnjë moment se foshnja kishte ndonjë anomali apo problem shëndetësor.
Pas ngjarjes, prindërit kanë bërë dënimi, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë mjekja përgjegjëse. Në një lidhje “Skype” për “Shqipëria Live”, babai i foshnjës Neritan Halilaj, me lot në sy ka treguar gjithë çfarë ka ndodhur, dhe arsyen pse mendon se foshnja ka ndërruar jetë për gabim të mjekëve.
“Lindi shumë mirë, vajta ta marr nusen dhe djalin ditën e tretë, më tha doktoresha do rrijë dhe nja dy ditë sepse po merr një mjekim djali, sepse i kishin dalë ca akne të kuqe si çdo fëmije.
Ok e lashë, ditën e pestë erdhi doktoresha na tha gjithçka mirë, dhe i bënë vaksinën e bebit, dhe me merr nusja në telefon dhe më thotë do dalim. Marr babanë në telefon të vijë ta marrë sepse unë isha në punë dhe nuk kisha mundësi, më merr nusja prapë në telefon, djali është pajetë, është nxirë.
Kur shkoja atje dhe rrija më djalin infermierja më thoshte është shumë mirë, ndërkohë pastaj nuk e di çfarë ndodhi. Nëse djali ishte i sëmurë të më thonin dhe unë do merrja masa. Ajo ka qenë punë momentale, nuk e di se çfarë ka bërë doktoresha, Idajete Cane. Askush nga spitali nuk na kanë dhënë një shpjegim. Ne do ta ndjekim rastin deri në fund. Sot kam dhënë dëshminë, do presim autopsinë e bebit. Doktoresha është në punë akoma, nuk është pezulluar akoma.
Nuses i ka rënë tre herë të fikët, pse ma lanë të futej nusja brenda kur fëmija kishte ndërruar jetë? Nëse kishte diçka djali, pse s’ma thanë?
Nusja i kishte dhënë për të pirë, i kishin bërë vaksinën, nusja kishte vajtur për t’u ndërruar, ajo zonja kishte marrë bebin për ta ndërruar, nusja priste në dhomë, ‘pse s’po ma sjellin’. Kishte shkuar të dhoma dhe kishte parë të gjithë aty, i kishin thënë ka një rast urgjence, nusja kishte thënë ‘dalë se mos është çuni im’, dhe e kishte parë aty të nxirë.
Djali im kishte një vigon në dorë, nuk e di pse e kishte. Ajo doktoresha nuk i ishte trembur syri fare. Nusen e ka gjetur pa ndjenja në tokë kunata ime. Edhe sot nuk më kanë dhënë asnjë shpjegim, asnjë arsye pse fëmija im ka ndërruar jetë.
Unë nuk ia fal kurrë asaj mjeke se ajo ma ka marrë jetën e djalit, do t’i shkojë deri në fund. E di që djali im nuk ka qenë i sëmurë. Pse i mori jetën? Pse? E kanë mendjen duke luajtur me telefon? Sa herë që veja e gjeja në telefon duke luajtur në telefon e ulur në tavolinë. A u ka rënë nga dora, a nuk e di…. Në polici na pyesnin ne ‘mos i ka rënë nga dora kunatës?’, ndërkohë që kunata nuk ka qenë aty”, ka deklaruar ai.