E fundit/ Ndalohet marrëveshja për rritjen e cmimit të patentave

121
0

Autoriteti i Konkurrencës ka ndaluar marrëveshjen për rritjen e çmimit të patentave.

Sipas Autoritetit, aktmarrëveshja për përcaktimin e tarifave dhe kostos minimale për pajisjen me leje drejtimi, cenon konkurrencën në ofrimin  e këtyre shërbimeve për qytetarët ndaj, ka vendosur ta pezullojë atë.

Në kushte të tilla, pas verifikimit të tij, Autoriteti ka marrë masa të përkohshme ndaj palëve të përfshira, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Veç ndalimit të zbatimit të marrëveshjes që parashikonte  rritje çmimi më shumë se dyfishi i çmimit aktual për marrje të patentës, Autoriteti i konkurrencës u ka kërkuar palëve që të depozitojnë pranë tij edhe praktikën e ndjekur deri në nënshkrimin e marrëveshjes për të bërë edhe vlerësimin ligjor të të gjithë procedurës.

Kjo masë e përkohshme do të ndërmerret për një periudhë të pacaktuar, deri në përfundim të procedurës dhe marrjes së një vendimi final të Autoritetit të Konkurrencës.

Ky i fundit nisi pak ditë më parë një verifikim duke marrë në konsideratë edhe shqetësimet e qytetarëve për këtë marrëveshje që parashikon rritje tarifash për pajisje me leje drejtimit. Marrëveshje të ngjashme që pengojnë, cenojnë konkurrencën apo shtrembërojnë tregun janë të ndaluara me ligj.

Top Channel