E fundit/ Hyn ne fuqi ligji per njohjen e patentave shqiptare ne Greqi

657
0

Parlamenti grek ka ratifikuar sot marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas marrëveshjes së firmosur që në 11 maj 2018.

Kjo do të thotë se me një patentë shqiptare mund të udhëtohet lehtësisht në Greqi, pa dashur të marrësh patentë ndërkombëtare, dhe anasjelltas edhe për grekët që vijnë në Shqipëri. Kjo vlen për të gjithë ata shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune apo pushime.

Me këtë marrëveshje, e cila mori fuqi zbatimi sot në parlamentin grek, shqiptarët kursejnë rreth 700 euro dhe nuk ka më nevojë që të kryejnë nga e para procedurat për t’u pajisur me leje drejtimi.

Kjo marrëveshje pason marrëveshjen për përdorimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit, heqjen e rezervës për përdorimin e vulës apostile për dokumentet, si dhe regjistrimin pranë zyrave konsullore të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi nga një ose dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi të rregullt.

Në një status në Facebook, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili ishte edhe nismëtari i kësaj marrëveshje përmes dialogut të zhvilluar me Greqinë, përshëndeti nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Greqia, përveçse një partner me rëndësi strategjike, anëtarë e NATO-s dhe BE-së, është fqinj me të cilin ndajmë përditshmërinë dhe fatet e përbashkëta për shkak të dinamikës së shkëmbimeve në të gjitha nivelet e lidhjet njerëzore. Është kjo arsyeja që me Greqinë duhet të vijojmë angazhimin e nisur të një politike të hapave të vegjël por të sigurtë. Të një politike që parashtron çështjet dhe skicon rrugëzgjidhje për qyetarët në interes të dy vendeve tona”, tha Bushati.