E dini se çfarë ndodh nëse nuk përdorni Facebook për 4 javë?

814
0

Vetëm ta mendosh duket e vështirë, aq më tepër po ta zbatosh. Megjithatë këtë sjellje e studiuan disa studiues për të parë se si reagojnë njerëzit kur në jetën e tyre mungon ky rrjet social, që gjithmonë e më tepër bëhet i dobishëm. Studiuesit nga Universiteti i Stanford në SHBA paguan disa persona që të braktisnin Facebook për 4 javë dhe mos të kishin kontakt me këtë rrjet social. Studimi i sjelljes së njeriut në një situatë të tillë rezultoi me disa pika specifike.

Së pari, personat që heqin dorë nga Facebook, shpenzojnë më pak kohë në internet në përgjithësi. Kohën që kalonin në Facebook, e shpenzuan duke parë TV ose duke qëndruar me pjesëtarë të familjes apo miqtë e tyre.

Së dyti, ndoshta dhe më e rëndësishmja, të anketuarit zbuluan se kishin përmirësime të lehta në mirëqenien e tyre. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i personave që morën pjesë në këtë studim thanë se planifikojnë që të shpenzojnë më pak kohë në Facebook sapo studimi të ketë përfunduar.

Megjithatë, në tjetër pikë që vunë re studiuesit është se mospërdorimi i Facebook-ut i bën njerëzit të painformuar. Ky rrjet social përdoret gjerësisht nga mediat botërore si platformë për të shpërndarë lajmet e tyre. Pra, mund të konsiderohet një industri mediatike ku qarkullon çdo lloj lajmi dhe informacioni. Studiuesit u shprehën se pavarësisht faktit që mospërdorimi i këtij rrjeti social ka dobi të mëdha, Facebook është një nga shërbimet më të dobishme që njerëzit kanë në përdorim.

Një pikë tjetër që u vu re gjatë studimit, është fakti se njerëzit bëhen më pak të polarizuar sa më shumë që heqin dorë nga përdorimi i Facebook. /tvklan.al