E dini pse në Tiranë apartamentet janë më shtrenjtë se në Athinë? Ekspertët japin arsyet

3183
0

Çmimi për blerjen e një apartamentin në Tiranë sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë është më i shtrenjtë se sa në Athinë ndërsa nga vendet e rajonit, vetëm Beogradi ka çmimin më të lartë.

Besard Rusi, ekspert i pronave të paluajtshme, thotë se çmimi i lartë vjen për disa arsye duke renditur si faktor kryesor rritjen e materialeve të ndërtimit, taksat dhe cilësinë me të cilën kryhen punimet për ndërtimet e reja.

“Materialet e ndërtimit janë rritur në mënyrë të frikshme. Trendi është në rritje, e shikojmë që çdo ndërtim i ri del me çmim shumë të lartë në krahasim me pronat e tjera në zonë. Kostoja e ndërtimit, taksat janë rritur, cilësia e ndërtimit është rritur dhe shumica e personave që duan të blejnë apartamente kërkojnë cilësi të lartë”, thotë ai.

Mendim tjetër ndan ekonomisti Gerti Dajçi, për të cilin çmimi për blerjen e një apartamenti në Tiranë nuk bazohet në realitetin ekonomik të vendit. Sipas tij kjo situatë lidhet me paratë e pista që hyjnë në vendin tonë.

“1900 euro metri katror është relativisht shumë e lartë dhe është një rritje jo e bazuar në realitet. Shpesh kanë hyrë shumë para që janë të pajustifikuar dhe këto janë tek ato 12% që mendojnë të investojnë në pasuri të paluajtshme. Të renditesh më lart se Athina në çmime më duket qesharake dhe komplet një informalitet dhe lidhet me paratë e pista që hidhen në tregun imobilar”, tha z. Dajçi.

Sipas ekonomistit në këtë aspekt bankat nuk po luajnë rolin e rëndësishëm për të kontrolluar burimin e parave që hyjnë në vend. Por gjithashtu Gerti Dajçi thotë se shumë nga blerjet e apartamenteve blihen me para cash duke shmangur transaksionet bankare.

Ndonëse 88% e shqiptarëve sipas një sondazhi të Bankës së Shqipërisë se nuk blejnë dot një apartament, eksperti për pronat të paluajtshme Besard Rusi, shprehet se shumë familje të reja e kanë të vështirë për të plotësuar këtë nevojë por ata ndihmohen nga prindërit.

Sipas tij ajo që ndodh shpesh është se prindërit u paguajnë fëmijëve pagesën e parë për blerjen e një apartamenti dhe më pas çifti i ri realizon pagesën tjetër përmes një kredie bankara.

“Një familje e re në Tiranë e ka shumë të vështirë që të blejë një pronë, por në Shqipëri prindërit ndihmojnë fëmijët duke u paguar garancinë”, tha z. Rusi.

Sipas tij çmimet më të ulëta janë në zonën e Unazës së re (Astir) dhe Yzberisht kurse zona më e preferuar mbetet ajo rreth liqenit Artificial “pasi është e vetmja pjesë e gjelbër”./Euronews