E dhimbshme! Studentja që i mbylli gojen Ramës sot, përlot gazetaren me historine e saj (Video)

1728
0

E fortë, e guximeshme dhe emocionuese. Kjo është Ardisa Çobo studentja e Infermierisë, e cila u përball me kryeministrin Edi Rama në Vlorë, por me historinë e saj përloti edhe gazetaren.

Në një intervistë ekskluzive për Ora News, studentja tregoi arsyet e saj të forta përse u bë pjesë e kësaj proteste. Ajo tregon se është në vitin e tretë dhe nuk proteston për veten e saj, por për të tjerët që do vijnë pas saj.

Ardisa mes emocioneve, e përlotur, por edhe e fortë për të mos treguar dobësinë e saj solli shembullin e kushërirës së saj, e cila nuk ka mundësi të vazhdojë studimet e larta.

Ardisa Çobo: Rasti im konkret që jam ngritur që ditën e parë. Vajza e xhaxhait tim, babain e ka të sëmurë, invalid dhe merr një pension qesharak prej 45 mijë lekësh, ndërsa ilaçet i kushtojnë se 700 euro. Tani ajo vajzë nuk e ëndërron të vijë në këtë universitet. Nuk ka të drejtë sepse nuk ka mundësi. I punon vetëm nëna. Si mund të vijë ajo këtu. Kush do ta mbështeti atë vajzë? Unë do ta mbështes? Unë nuk po bëj dot shkollën time. Si do ta ndihmoj unë atë? Apo ta shikoj ta martojnë e të bëjë fëmijë, të mbylli jetën e saj aty?

Ajo thotë se është në përfundim të Bachelorit, ndërsa për të vazhduar masterin do të punojë një vit, pasi nuk ka mundësi financiare.

Ardisa Çobo: Punon vetëm babai. Jemi tre fëmijë. Prindërit e mi janë në një moshë që nuk kanë më fuqi të punojnë. Na rritën, na sollën deri këtu tani duhet të jem unë e aftë të bëj diçka për veten time.

Studentja është e pakënaqur me studentët e Vlorës. Thotë se janë të politizuar dhe kanë frikë të dalin. Ndërsa thekson se Universiteti i Vlorës është thjesht një fasadë.

Ardisa Çobo: Unë këtu në Vlorë jam shumë e pakënaqur. Studentët kanë pasur frikë, shumë këtu në Vlorë janë të përfshirë në politike, prandaj nuk ngrihen. Këtu nuk funksionin asgjë, mos shikoni kështu të bukur nga jashtë. Është fasadë. Nuk ka ngrohje, tarifat deri diku të larta, kryesisht ato të masterit. Familja ime për momentin nuk e përballon dot masterin tim. Unë mendoj të punoj një vit, pastaj të vazhdoj masterin.

Ajo kishte edhe nje mesazh për politikën:

Ardisa Çobo: Përpiquni, bëni punë tuaj, përpiquni, bëni për vendin tuaj, përpiquni, bëni për ne. Në fund të fundit do të jemi ne ata që do të jemi në vendin tuaj dhe jam shumë e sigurt që do të dëshironit që ne të bënim për ju.