Pas vendosjes së tre gjobave në kuadër të masave anti-Covid 19, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor kërkon mbylljen e sinjalit të transmetimit të RTV “Ora News”.
Pretendohet se programet e gazetarëve Artur Zheji dhe Sonila Meço kanë thyer rregullat për pandeminë pasi moderatorët kanë ftuar më shumë se një personazh në studio. Në një shkresë të ditës së sotme, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor flet për mbylljen e aktivitetit të RTV Ora News.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe drejtori i Informacionit në RTV Ora, Brahim Shima, i cili shprehet: “Mbyllja e televizionit ka ndodhur sepse janë lejuar njerëzit të flasin në studio. Kjo është e qëllimshme. Është bërë inspektimi vetëm me një foto, nuk kanë ardhur në televizion inspektorë. Nuk mund t’i mbyllësh gojën se do të flasë. Nuk po mbyll biznesin, por po mbyll fjalën e lirë. Kemi qenë të ndershëm përballë shikuesve dhe beteja do të vazhdojë”.
Më herët në një reagim mbi gjobën 10 milionë lekë të vjetra, moderatorja Sonila Meço do të shprehej: “ Gjobë 10.000.000 lekë të vjetra ndaj programeve televizive, se nga dy kishin tre veta në studio. Por nga ana tjetër qeveria marsh të lartë legalizimit të kanabisit, amnistisë fiskale dhe shembjes së Teatrit Kombëtar, duke shkelur ligje, rregulla, kushtetutë e parime. Për mua personalisht asgjë e re, prej vitesh provova mbylljen e transmetimit live, me një ulje leve. Qëndrimin tre vjet larg medias, profesionit tim. Sulmin publik nga autoritete zyrtare”.