DW: Një mundësi për të mos u humbur! Gjermania po vuan për punëtor në këtë profesion,

758
0

Në Gjermani po bëhet gjithnjë e më akut problemi i kujdesit shëndetësor për të moshuarit. Ende mund të mbushen boshllëqet me forca pune të ardhura nga jashtë. Por ekspertët paralajmërojnë për iluzionet.

Rreth 3,3 Milionë të moshuar kanë nevojë për përkujdes shëndetësor në Gjermani, sipas të dhënave provizore të Ministrisë së Shëndetësisë në Gjermani. Numri i tyre rritet, shoqëria plaket shpejt. Deri në vitin 2030 pritet të jenë më shumë se katër milionë. Por për ta mungojnë kujdestarët. Kështu sipas të dhënave të Agjencisë Federale të Punës  në mars 2017 për 14.600 vende pune të hapura ka pasur vetëm 3.000 kujdestarë shëndetësorë të papunë. Në të ardhmen do të ketë edhe më shumë mungesa. Fondacioni Gjerman për Mbrojtjen e Pacientit llogarit se në 8 vitet e ardhshme do të mungojnë 200.000 forca pune të plota në sektorin e kujdesit shëndetësor. Deri në vitin 2030 kjo mungesë do rritet deri në 500.000 vetë.

Shumë pak të rinj duan të punojnë në këtë profesion, edhe kur punojnë, pas disa vitesh ata e braktisin atë. Kushtet e punës janë të vështira, vlerësimi për këtë lloj pune i vogël. „Shumë kujdestarë i kthejnë kurrizin kësaj pune, sepse kuptojnë se cekin aty kufijtë e tyre fizikë dhe shpirtërorë”, thotë Eugen Brysch nga Fondacioni për Mbrojtjen e Pacientit. Rol luan edhe pagesa jo e mirë. Sipas një studimi të publikuar në janar të Institutit për Tregun e Punës dhe Profesionet një kujdestar me orar të plotë në kujdesin shëndetësor të pleqve fiton 2621 Euro bruto, 16% më pak se mesatarja e profesioneve të tjera. Edhe më keq dalin ata që vazhdojnë shkollimin profesional, ata marrin 1870 Euro bruto.

Jo përqëndrim tek importimi i personelit

Studiesja e këtij sektori Cornelia Heinze foli në Deutschlandfunk të enjten e kaluar për një largim të forcave të kualifikuara të Gjermanisë drejt vendeve që i paguajnë më mirë kujdestarët e pleqve, si Austria, Zvicra, por edhe vendet skandinave. Ndërsa institucionet gjermane i kthejnë sytë nga kujdestarët që mund të marrin nga Europa Qendrore e Lindore, Ballkani apo edhe Filipinet.

Vlerësimet lidhur me këtë problematikë janë të ndryshme. Gernot Kiefer, kreu i Shoqatës së Sigurimeve Shëndetësore Shtetërore tha në janar për “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”, se ai shikon vërtet „potencial të përfitohen njerëzit me sfond migracioni”, por shton se „kush beson se sfida e mungesës së kujdestarëve në Gjermani do të zgjidhet me importimin e forcave të punës, ai është naiv.” Ndërsa Franz Wagner, presidenti i Këshillit Gjerman të Kujdesit Shëndetësor beson po ashtu se sistemi vetëm mund të lehtësohet pak me ardhjen e të huajve. Nga ana tjetër drejtuesit e azileve të pleqve thonë, se pa personal të huaj puna ngec.

Kreu socialdemokrat, Martin Schulz në fushatën zgjedhore kërkoi marrjen e kujdestarëve shëndetësore pa shumë burokracira. Pa forcat punëtore nga Lindja europiane, sistemi do të kishte pësuar kolaps, tha ai.

Gjuha – faktor i rëndësishëm

Tani koalicioni me bazë të gjerë – nëse vjen puna deri aty-  do të krijojë me një program të shpejtë 8000 vende të reja për kujdestarë shëndetësorë. Kjo është pak po të mendosh, se 13.5000 azile pleqsh nuk do të përfitonin as edhe një vend të plotë të ri pune. Georg Nüßlein, deputet kristiansocial thotë se madje edhe më këtë shifër të ulët do të jetë e vështirë të mbushen vendet e punës. „E dimë se do të jetë e vështirë të zëmë 8000 vendet e punës, sepse duhet që t’i kemi njëherë këta njerëz.” Për këtë koalicioni me bazë të gjerë do të bëjë diçka. „Me pagesa më të mira për punonjësit, reduktimin e stresit të punës dhe turneve do të ketë më shumë kërkesa për këto vende pune.”

Por pa forca nga jashtë ky problem nuk do të zgjidhet dot. Problemi qëndron tek njohuritë gjuhësore. Sidomos në mënyrën e komunikimit me të moshuarit, njerëz nganjëherë dementë, të vetmuar komunikimi është shumë i rëndësishëm. Nga ana tjetër edhe kualifikimet që sillen nga vendet e tjera nuk njihen në Gjermani, ose nuk mjaftojnë për punësimin. Deficitet e kualifikimit të kujdestarëve shëndetësore që vijnë nga jashtë përpiqet t’i nivelojë një projekt pilot në Dortmund. Në Shkollën Katolike të Profesioneve të Kujdestarisë Shëndetësore nga maji i vitit të kaluar zhvillohen kualifikime plotësuese për pjesëmarrësit nga BE dhe nga vendet jo anëtare. Edhe një kurs i gjermanishtes me fjalorin specifik të punës është pjesë e këtij kualifikimi. E veçanta e konceptit është kombinimi i shkollimit, integrimit dhe mbështetjes financiare. /DW/