Drogë në autobusin e linjës “Durrës-Milano”, arrestohet pronari i firmës dhe shoferi

237
0

Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vjën e dytë, autobusin e linjës “Durrës-Milano”.

Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-M. P., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano”;

-P. R., 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. P. iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.